Aliu: Kosova ka nevojë të rrisë kapacitetet e ujit, një masterplan për digat është miratuar nga Ministria e Bujqësisë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka prezantuar disa vendime të Qeverisë, duke përfshirë shpronësimin për kompleksin memorial “Masakra e Reçakut” dhe planin për menaxhimin e pellgut lumor Drini i Bardhë.
Në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, ministri ka theksuar se Kosova ka nevojë të rrisë kapacitetet e ujit dhe se një masterplan për digat është miratuar nga Ministria e Bujqësisë.
“Kemi pasur sot disa vendime të rëndësishme si ministri, që kanë të bëjnë me shpronësime për disa projekte, si ai për kompleksi memorial ‘Masakra e Reçakut’”, ka thënë ai.
Po ashtu, Aliu ka paralajmëruar se Kosova do të ketë një vizion të qartë për menaxhimin e ujërave brenda një kohe të shkurtër, që do të shërbejë për dekadat e ardhshme.
“Kosova ka kapacitete të limituara të ujit, e kemi të domosdoshme që ti rrisim kapacitetet e ujit. Krahas masterplanit për digat qe është miratuar nga Ministria e Bujqësisë, brenda një kohe te shkurte Kosova do të këtë një vizion të qartë për menaxhimin e ujërave që do të na shërbejë për dekadat e ardhshme”, ka deklaruar ministri Aliu në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.
Rruga Press