Sukses historik i Deçiqit, katër skuadra shqiptare në Champions
Ballkani, Struga, kampioni i Shqipërisë… Dhe po, Deçiqi i Tuzit.
Shqiptarët do të kenë katër përfaqësues në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në edicionin e ardhshëm, 2024/2025. Kjo do të ndodhë për herë të parë. Dhe këtë e mundëson Deçiqi, ekipi nga Tuzi i vogël, por që u shpall kampion i Malit të Zi.
Titullin e parë në histori, Deçiqi e siguroi të shtunën mbrëma. Deçiqi fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Sutjeskës dhe siguroi titullin një xhiro para fundit. I ka 67 pikë, gjashtë më shumë se Buduqnosti e Mornari. Deçiqi do ta përfaqësojë Malin e Zi në Ligën e Kampionëve.
“Me krenari dhe emocion ju drejtohem në këtë moment historik për Komunën e Tuzit dhe për ekipin tonë të dashur, Deçiqin, që ka arritur të kurorëzohet kampion i Malit të Zi. Kjo fitore na tregon se me punë të përbashkët dhe përkushtim, gjithçka është e mundur. Ky triumf nuk është vetëm një arritje sportive, por një dëshmi e përkushtimit, sakrificës dhe bashkimit të të gjithë neve. Ekipi i Deçiqit ka punuar me zell, ka treguar disiplinë dhe vendosmëri, dhe sot po korrin frytet e një pune të palodhshme”, shkruan në një urim të kryetarit të komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
“Shpallja kampion i vendit është dëshmi e potencialit tonë dhe një frymëzim për të gjithë brezat e ardhshëm që të vazhdojmë të zhvillojmë dashurinë për ekipin dhe komunën tonë”, shkruan tutje në urimin e Gjelajt.
Deçiqin e kanë uruar edhe politikanë të ndryshëm shqiptarë në Mal të Zi. E ka uruar edhe kampioni i Kosovës, Ballkani.
Ka disa vjet që Deçiqi është prej ekipeve kryesore në Malin e Zi. Dhe rritjen e konfirmoi këtë edicion me titullin e kampionit.
Nuk ishte e lehtë për Deçiqin, që ndër të tjera është përballur me fyerje edhe në baza nacionale nga tifozë në Mal të Zi. Po ashtu të gjitha ndeshjet Deçiqi i ka luajtur jashtë Tuzit, përkatësisht në udhëtim. Stadiumi në Tuz po rinovohet dhe pritet të jetë modern.
Festa në qytezën e Tuzit ishte e zjarrtë të shtunën mbrëma. Dhe ka zgjatur thuajse deri në mëngjes.
Deçiqi, Struga, Ballkani dhe kampioni i Shqipërisë do të paraqiten në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Pra nuk përjashtohet mundësia e përballjeve shqiptare në Champions.
Pal Dreshaj është kryetar i Deçiqit, ndërsa Fatos Beqiraj e kryen detyrën e drejtorit sportiv. Prej futbollistëve një pjesë janë shqiptarë.
“Është titulli i parë, por jo edhe i fundit. Do të jemi skuadra e katërt shqiptare që do të garojë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, Është epoka e shqiptarëve, apo jo”, ka thënë Dreshaj pak kohë para se të sigurohej edhe zyrtarisht titulli i kampionit nga Deçiqi.
Me hapjen e stadiumit, Deçiqi pritet të jetë edhe më i fortë. Dhe një periudhë dominimi e këtij klubi në Malin e Zi nuk përjashtohet.
Rruga Press