Tifozat Kuq e Zi protestojnë ndaj kandidaturës së Shqipërisë me Serbinë për EURO 2027 – publikojnë foto nga lufta në Kosovë
Tifogrupi i kombëtares së Shqipërisë të njohur me emrin si ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës së Futbolit të Shqipërisë për të shpallur kandidaturën e përbashkët me Serbinë për organizimin e Euro 2027 për grupmoshat U21.
Para gati më shumë se dy jave, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, kishte konfirmuar kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë me Serbinë për organizimin e Kampionatit Evropian 2027 për grupmoshat U21.
Arsyetimi i Dukës mbi këtë ishte se Kosova nuk i plotëson kushtet elementare për organizimin e kësaj ngjarje.
Ai kishte thënë se duhet angazhim i madh i dy qeverive të dy vendeve respektive, madje e kishte cilësuar si “lajm të mirë” për popullin shqiptar dhe atë serb.
Ky njoftim nuk ishte pritur aspak mirë nga tifozët shqiptar anembanë botës dhe tani Tifozat Kuq e Zi kanë ndërmarrë një nismë për të shprehur mllefin e tyre ndaj këtij vendimi të FSHF-së.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shihet se si ‘Tifozat Kuq e Zi’ kanë ngjyrosur me të kuqe rrugët pranë zyrave të FSHF-së, si dhe kanë ngjitur disa fotografi të luftës dhe gjenocidit që ushtria serbe ka ushtruar në popullin e Kosovës.
“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal.
Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, thuhej në postimin e tyre.
Rruga Press