KryesoreLajme

Gërvalla: Oferta e Kosovës e humbi relevancën pas mbledhjes së sotme në KiE

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se oferta e Kosovës mbi Asociacionin e dërguar në Asamblenë e Këshillit të Evropës e ka humbur relevancën pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Ajo ka theksuar se lënia jashtë agjendës e çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave të KiE-së është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare. E, ka shtuar se anëtarësimi në KiE nuk mund të ndalet “edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë”.

“Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Gërvalla ka shtuar se disa shtete anëtare zgjodhën të mbështesin fushatën lobuese të Serbisë kundër Kosovës. Është shprehur se Kosova nuk ka lënë gur pa lëvizur, “gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovën”.

“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka shkruar ajo në Facebook.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Në letrën që ka dorëzuar ministrja Gërvalla në Këshillin e Evropës, Kosova ka marrë përgjegjësinë që të hartojë dokumentin e formimit të Asociacionit, e që atë ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

YouTube player