Shqipëria e rrethuar me zjarre prej një jave / Digjen qindra hektarë pyje në Tragjas dhe Karaburun! Asnjë ndërhyrje nga ajri, punonjësit ‘luftojnë’ me mjete rrethanore, një i arrestuar
Pas shuarjes së flakëve në Fier, problemi më i madh në vendin tonë është kthyer Vlora dhe Saranda, dy qytete, kurorat e gjelbra të të cilave janë pushtuar nga flakët.
Zjarret kanë pushtuar vendin nga jugu në veri, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së ndërhyrjes në kohë nga ana e institucioneve përkatëse. Pas shuarjes së flakëve në Fier, problemi më i madh në vendin tonë është kthyer Vlora dhe Saranda, dy qytete, kurorat e gjelbra të të cilave janë pushtuar nga flakët.
Gadishulli i Karaburunit dhe fshati Tragjas prej më shumë se një jave janë nën pushtetin e flakëve por ende nuk ka asnjë ndërhyrje me helikopterë nga ajri për të shuar flakët që kanë përpirë më shumë se disa qindra hektarë kullota.
Por edhe Ksamili është përfshirë nga flakët, aq sa gjithçka dallohet qartë dhe me sy të lirë nga Korfuzi. Sot, një 25-vjeçar është vënë në prangat e Policisë së Shtetit, pasi akuzohet se i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë ullishte. Edmond Zogaj akuzohet se ka kryer krime ndaj mjedisit, ndaj edhe do të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë që zjarre ka pasur edhe në veri të vendit, por më të kontrolluara nga ato në jug. Pavarësisht situatës së rëndë nga zjarret, ka pasur ndërhyrje vetëm nga Forcat e Armatosura, por nuk dihet pse helikopterët janë lënë në pushim nga Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile.