KryesoreLajme

Kurti përkujton masakrat në Pejë: Serbia duhet të japë përgjegjësi

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të japë përgjegjësi për krimet e kryera në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës, pasi sipas tij, para se të vriteshin 120 civilë në 1999-n, një ushtar kishte thirrur “në emër të Serbisë”.

Kurti ka thënë të martën se rruga drejt drejtësisë është e gjatë duke shtuar se për këto vrasje të akuzuarit janë dënuar me 56 vjet burgim.

“Sot kujtojmë mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan. Para se të gjuante, një ushtar bërtiti: ‘në emër të Serbisë’…Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë. Andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. Rruga drejt drejtësisë mbetet e gjatë”, ka deklaruar Kurti.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se Qyshku vazhdon të jetë i fortë dhe krenar pasi qëllimi i fshatit “ishte vetëm të shikohej përpara”.

Çeku, që një pjesë e familjes i ishte vrarë në këtë masakër, ka shtuar se familjarët e bëjnë këtë fshat pjesë të historisë.

“Lufta sjell plagë, plagë të mëdha…të kujdesemi që plagë të tilla mos i marrim kurrë. Duhet të shikojmë përpara që ta kemi një shtet i fortë, shtet stabil dhe të bëhemi pjesë e NATO-s, BE-së… Ai gjak kurrë nuk do të falet, kurrë nuk do të harrohet…”, ka theksuar ai.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Ndërsa, kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se gjashtë masakra janë kryer në këtë zonë brenda 100 vjetëve, e “duhet të punojmë që kjo të mos ndodh më kurrë”.

E, deputeti Xhavit Haliti, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Qyshkun dhe se kjo masakër duhet të dënohet e të dokumentohet.

Rruga Press

YouTube player