Britania e Gjermania mbështesin vendimin për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në RKS
Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar pajisjen me patentë shoferë të Kosovës, për ata që kanë patentë shoferë ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në Kosovë.
Ambasada e Britanisë së Madhe ka shkruar në Twitter se mirëpret njoftimin e Qeverisë që përcakton “procesin praktik të konvertimit të patentë shoferëve për serbët e Kosovës”. “Kjo është iniciativë e rëndësishme për të përkrahur integrimin”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.
Ndërsa ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, duke shpërndarë postimin mbështetës të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur “zhvillim të madh” vendimin.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi ditë më parë se ka vendosur që për këtë konvertim qytetarët serbë të mos detyrohen t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.
Rruga Press