Hamasi pranon marrëveshjen për armëpushim
Lidershipi i Hamasit thotë se ka pranuar marrëveshjen për armëpushim në Gaza, transmeton “BBC”.
Në një komunikatë, ata thonë se kanë informuar ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit për vendimin.
Detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura, përfshirë se sa do të zgjasë dhe çfarë nënkupton kjo për pengjet e mbajtura në Gaza.
Në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare, Hamasi ka thënë se lideri i tij Ismail Haniyeh, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Katarit, sheikun Mohammed bi Abdulrahman Al Thani, dhe me ministrin e Inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, dhe i ka informuar se Hamasi pranon propozimin e tyre për armëpushim.
Vendimi vjen në ditën kur Izraeli u ka bërë thirrje rreth 100 mijë palestinezëve të largohen nga lindja e Rafahut, pasi do ta zhvillojë një “operacion të limituar ushtarak”.
Në Gaza janë parë qytetarët duke festuar në spitalin Aq Aqsa pas lajmit se Hamasi ka pranuar marrëveshjen.
Më herët të hënën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden përsëriti qëndrimin e tij të qartë për Rafahun në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Washingtoni ka thënë vazhdimisht se nuk e mbështet një pushtim të Rafahut pa një plan për të ndihmuar civilët që strehohen atje.
Në komunikatë thuhet se Netanyahu ka rënë dakord që pikëkalimi Kerem Shalom të jetë i hapur për ndihmë humanitare për ata në nevojë. Ky është vendkalimi ku katër ushtarë izraelitë u vranë në një sulm me raketa të Hamasit të dielën.
Biseda mes dy liderëve u zhvillua kur Izraeli shënonte Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit dhe vranë rreth 1200 persona e kidnapuan 252 pengje, bazuar në statistikat e Izraelit.
Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, gjatë të cilës janë vrarë mbi 34,700 persona sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas.
Rruga Press