Lajme

Kurti në Studime: Të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë dhe përkushtimin për drejtësi

“Sot nderojmë të vrarët më 2 maj 1999, të cilët më s’janë me neve. U nderojmë edhe juve që jeni këtu e qëndroni të fortë përkundër vuajtjes e humbjes së madhe gjatë luftës. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë qëndresën e popullit. I përkulemi popullit të Kosovës që nuk u përkul para terrorit të Serbisë,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore të masakrës në Studime të Komunës së Vushtrrisë.

Para të pranishmëve, Kryeministri tha se pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore. ‘’Masa e krimit e detyroi edhe NATO-n atëbotë të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë te tillë krimi,’’ u shpreh ai.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

Kryeministri Kurti theksoi se nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull, kemi zgjedhur të jemi të fortë, të bashkuar në dhembje por edhe në shpresë.

“Le të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në kujtimin e të dashurve tanë, përkushtimin për drejtësi, e të frymëzuar nga buzëqeshjet e fëmijëve. Fëmijët që lindin dhe po rriten në liri janë dëshmi e fuqishme e asaj që kemi arritur dhe shpresës që mbartim çdo ditë,” shtoi ai.

“Do të vazhdojmë të vijmë këtu çdo vit për nderimin e 116 civilëve, ashtu siç do të bëjmë në çdo vend të Kosovës ku krimi ka lënë, të vdekur njerëzit tanë, dhe të gjallë dhembjen tonë. Deri te nderimi universal i drejtësisë, e drejt ngadhënjimit konkret të drejtësisë, homazhi shtetëror do të jetë sistematik’’, tha Kryeministri.

Në nderim të 116 civilëve shqiptarë, nga 11 deri në 84 vjeç, të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë në Studime, Kryeministri Kurti, së bashku me Presidenten Osmani vendosën kurorë të përbashkët dhe bënë homazhe te varrezat.

Rruga Press

YouTube player