Kurti në ‘STEMinists’24’: Zhvillimi i shtetit – përparimi i qytetarëve
Drejtimet STEM po shihen si e ardhme ekonomike e mbështetje profesionale për gratë e vajzat. Kjo u dëshmua në konferencën e mbajtur sot, “STEMinists’24”, gjatë së cilës kryeministri Albin Kurti, në një video deklarim ka thënë se do të vazhdojë angazhimin për përfshirjen e vajzave e grave në këto drejtime.
“Qeveria e Kosovës e ka intensifikuar mbështetjen për vajzat në STEM. Gjatë këtij mandati kemi ndarë 4630 bursa për studentë për vajzat dhe gratë. Sistemi STEM është futur si politik e re për herë të parë nga Qeveria jonë. Zhvillimi i shtetit tonë krijohet, ndërtohet, dhe ushqehet nëpërmjet përparimit të qytetarëve tanë”, ka thënë ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar këtë konferencë si promoter dinjitoz për avancim profesional për vajzat e gratë.
“Asnjë vend nuk mund të lulëzoj nëse e shtyp potencialin e grave. Gratë dhe vajzat në STEM janë një garanci shtesë për vendin tonë, jeni rilindje për shekullin 21. Ndaj sot në emër të Qeverisë dhe në emër timin riafirmoj gatishmërinë për mbështetje në të gjitha format”, tha Nagavci.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli teksa foli për ndikimin ekonomik të vendit nëpërmjet këtyre drejtimeve, tha se ky sektor po gjen gjithnjë e më shumë shtrirje.
“Në sektor të ndryshme si sektori i TIK-ut, fuqia punëtore përbëhet prej 40% të grave e vajzave që është prapë shumë dukshëm se sa në shumë vende të zhvilluara. Në trajnimet të ofruara nga Ministria e Ekonomisë 41% e pjesëmarrëseve janë gra”, tha Rizvanolli.
Rruga Press