Lukashenko: Në Bjellorusi janë dislokuar dhjetëra armë bërthamore ruse
Udhëheqësi autoritar Alyaksandr Lukashenko, tha se “dhjetëra armë bërthamore ruse” janë dislokuar në Bjellorusi, një lëvizje që ka rritur shqetësimet në Perëndim se lufta e Moskës kundër Ukrainës mund të zgjerohet.
Duke folur në Asamblenë Popullore të Bjellorusisë në Minsk më 25 prill, Lukashenko, aleat kyç i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se në mbledhje ishte miratuar njëzëri një doktrinë e re ushtarake që e konsideron vendosjen e armëve bërthamore ruse në tokën bjelloruse si strategji për të penguar sulme.
Bjellorusia i ka ofruar mbështetje logjistike Rusisë, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, Moska ka zhvendosur në Bjellorusi armë bërthamore taktike – zhvendosja e parë e armëve të tilla jashtë Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
NATO e ka quajtur këtë lëvizje si të “rrezikshme dhe të papërgjegjshme”.
Lukashenko tha se është “gabim” që të gjitha armët strategjike bërthamore u larguan nga Bjellorusia pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe se armët bërthamore taktike të Rusisë “duhet” të qëndrojnë në Bjellorusi.
Ai shtoi se pavarësia bjelloruse duhet të ruhet “pavarësisht gjithçkaje”.
Lukashenko shpesh flet për rrezikun e një sulmi nga NATO-ja apo Ukraina për të arsyetuar nevojën që shteti i tij të mbajë ushtrinë në gjendje të gatishmërisë së lartë.
Në fjalimin më 25 prill, ai pretendoi se grupe opozitare kanë planifikuar që të marrin nën kontroll zona në perëndim të Bjellorusisë dhe kanë kërkuar mbështetjen e trupave të NATO-s.
Shërbimi i sigurisë në Bjellorusi tha më 25 prill se ka penguar një sulm në Minsk nga dronët që u lëshuan nga Lituania, një akuzë që u hodh poshtë menjëherë nga zyrtarët në Vilnius.
Asambleja Popullore e Bjellorusisë është një mbledhje e përgjithshme e Qeverisë me udhëheqësit e industrisë. Më herët janë mbajtur edhe gjashtë takime të këtij trupi nga viti 1996 deri më 2021.
Politikanët opozitarë dhe aktivistët kanë thënë se kjo Asamble është mjet i propagandës së Lukashenkas, përmes së cilës synohet të tregohet mbështetja për udhëheqësin autoritar, i cili është në krye të shtetit që nga viti 1994.
Rruga Press