Lajme

Kryeminsitri Kurti bashkëbisedoi me pjesëtarë të mërgatës në Hanover të Gjermanisë

Gjatë qëndrimit në Hanover, ku mori pjesë në panairin “Hannover Messe 2024”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, dje në orët e mbrëmjes takoi pjesëtarë të mërgatës atje, me të cilët bisedoi për përfshirjen e tyre në shoqërinë e Kosovës, pjesëmarrjen në regjistrimin e popullsisë, zgjedhjet evropiane në qershor të këtij viti dhe tema tjera me interes.

Fillimisht kryeministri Kurti i njoftoi ata për zhvillimet e fundit në vend, dhe me rezultatet e qeverisjes tash më shumë se tri vjet, dhe me politikat sociale dhe zhvillimore të qeverisë, përfshirë ato të punësimit të të rinjve dhe ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës frymëzuar nga modelet e arsimit dual që i gjejmë pikërisht në Gjermani, Zvicër e Austri.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Duke marrë parasysh progresin që vendi ka shënuar në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë dhe duke marrë shkas pjesëmarrjen në panairin “Hannover Messe 2024”, kryeministri i ftoi edhe inkurajoi mërgatën që të investojnë në Kosovë.  Atyre që kanë biznese në Gjermani u bëri thirrje që të hapin degë në Kosovë, ku ju ofrohen kushte të favorshme për investime.

Në kohën kur po zhvillohet procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, kryeministri përfitoi nga rasti për t’ua rikujtuar dhe për t’i ftuar mërgatën që të regjistrohen nëpërmjet platformës online ediaspora.rks-gov.net deri më 17 maj. Ai theksoi se ky proces na mundëson që të dimë se sa e kemi diasporën dhe është përcaktues për politikat zhvillimore të dekadës së ardhshme.

Ndërkaq sa i përket zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, kryeministri porositi të gjithë ata që janë qytetarët të shteteve të Bashkimit Evropian të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe të jenë pjesëmarrës në proceset demokratike të vendeve tyre dhe të kontinentit evropian.

Kurti falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për mikpritjen e ngrohtë në Hanover, për interesimin e tyre aktiv për zhvillimet në vendin e tyre dhe për kontributin e vazhdueshëm dhe punën e madhe që gjithsecili pjesëtarë i mërgatës e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ndër vite, pa ndërprerë, për Kosovën.

Rruga Press

YouTube player