KryesoreLajme

Kosova merr Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias

Pavijoni i Kosovës ka marrë Mirënjohje të Veçantë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Është përfaqësimi i gjashtë i vendit në ngjarjen e madhe. Në një konkurrencë me 80 shtete, instilacioni skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati me kuratore Erëmira Krasniqin, adreson çështjen e punës së feminizuar brenda kontekstit të ekonomive të parregulluara.

“I referohet industrisë se punës së feminizuar dhe trupave të tyre të dërmuar nga puna… skulpturat elegante të Kastratit ftojnë vizitorët të bashkëveprojnë, një peizazh tingullor shkon përmes dyshemesë duke rezonuar në eshtrat tona duke bërë jehonë në fushën aktivizmit feminist”, ka qenë arsyetimi i jurisë, lexuar prej anëtares Maria Ines Rodriguez.

Artistja Kastrati duka pranuar çmimin ka përsëritur atë që ka thënë në hapje të Pavijonit të Kosovës, të enjten. Ka cituar shkrimtaren Elif Shafak.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

“Historitë na bëjnë bashkë, ndërsa historitë e parrëfyera na mbajnë larg njëri-tjetrit. Për të pasur mundësinë për të treguar historinë tende, të heshtësh për të do të thotë që je e dehumanizuar. Jam e lumtur që kisha mundësinë të ndaja pjesë nga një histori që ka qenë prezente kaherë në eksperiencat tona lokale e globale”, ka thënë ajo.

Kur është përmendur emri i Kosovës si fituese, ministrja e Kulturës e Serbisë, Maja Gojkoviq, nuk ka mundur të qëndrojë në sallë.

“Luanin e Artë”, që është çmimi kryesor i Bienales, e ka marrë Australia.

Për çmimin që ka marrë Kosova, kryeministri Albin Kurti ka thënë se është arritje e madhe.

“Një arritje tejet e lartë. Në Bienale ku vetëm pjesëmarrja është fitore, triumfi i saj është fort i veçantë. Urime të gjithë ekipit, komisioneres Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, mbi të gjitha, urime artistëve të vendit tonë! Kosova djep kulture. Edhe njëherë, si shpeshherë: gratë e Kosovës krenari kombëtare”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkruar se “gratë e Kosovës shkruajnë histori”.

“Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art. Pavijoni i Republikës së Kosovës merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Kjo është hera e parë që shteti ynë merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013. Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota”, ka shkruar Çeku.

Rruga Press

YouTube player