Drejtori i CIA-s: Ukraina mund ta humbë luftën deri në fund të vitit nëse nuk miratohet ndihma e SHBA-së
Drejtori i CIA-s, William Burns, ka paralajmëruar se Ukraina mund ta humbë luftën deri në fund të këtij viti, nëse nuk miratohet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Drejtori i CIA-s e dha këtë paralajmërim për ligjvënësit e Kongresit, të cilët ende po hezitojnë ta miratojnë ndihmën për Ukrainën.
“Me nxitjen që do të vinte nga ndihma ushtarake, praktikisht dhe psikologjikisht, ukrainasit janë plotësisht të aftë të mbajnë veten deri në vitin 2024 dhe të prishin pikëpamjen arrogante të Putinit se koha është në anën e tij”, ka thënë Burns, shkruan “Politico”.
Por nëse ndihma nuk kalon në Kongres, Burns ka thënë se do të ishte e tmerrshme.
“Ekziston rrezik shumë real që ukrainasit mund të humbasin në fushën e betejës deri në fund të vitit 2024, ose të paktën ta vendosin Putinin në një pozicion ku në thelb mund të diktojë kushtet e një zgjidhjeje politike”, ka shtuar ai.
Është ndoshta paralajmërimi më i fortë nga një zyrtar i lartë i administratës amerikane në lidhje me luftën në Ukrainë, që vjen pak pasi Kievi paralajmëroi se Rusia po përgatitet për një ofensivë të madhe në veri.
Mbështetja për Ukrainën tani është më shumë sesa lufta me Rusinë, argumentoi Burns.
“Bëhet fjalë gjithashtu për Xi Jinping në Kinë, ambiciet e tij dhe aleatët dhe partnerët tanë në Indo-Paqësorin. Kjo është me të vërtetë çështje nëse kundërshtarët tanë e kuptojnë apo jo besueshmërinë dhe vendosmërinë tonë dhe nëse aleatët dhe partnerët tanë e kuptojnë këtë gjithashtu”, ka deklaruar drejtori i CIA-s.
Ndihma ushtarake për Ukrainën, që është miliarda euro, nuk ka marrë votat e nevojshme në Kongres. Megjithatë, ka optimizëm se ajo do të miratohet.
Rruga Press