Brnabiqi e Vulini në Banja Lukë – tubim ku mohohet gjenocidi serb në Srebrenicë dhe lartësohet lufta e Rusisë në Ukrainë
Tubimi “Serbia po ju thërret” në Banja Luka u organizua sot në Trg Krajine dhe qëllimi i autoriteteve në Republika Serbe është që të unifikojnë pikëpamjet e popullit serb për gjenocidin në Srebrenicë, që vjen si reagim ndaj mundësisë së miratimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara, të cilën tashmë e kanë mbështetur shumë vende evropiane.
Tubimit i parapriu një seancë e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, ku u miratua një raport që mohon gjenocidin në Srebrenicë, si dhe konkluzione të mbështetura nga të gjithë përfaqësuesit, në të cilat ky krim i tmerrshëm relativizohet.
Tubimi nisi me himnin “Republika ime”, dhe politikanët u përcollën në skenë me duartrokitje, raporton klix.ba.
Shpejt filluan fjalimet, në të cilat u ofenduan politikanët boshnjakë, u mohua gjenocidi serb ndaj boshnjakëve dhe u lartësua lufta e Rusisë në Ukrainë.
Krahas udhëheqjes politike të subjekteve kanë ardhur edhe zyrtarë nga Serbia, si kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, ish-ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin.
Të pranishëm në shesh janë mijëra njerëz, të cilët kanë ardhur nga qytete të shumta të Republikës Serbe, por edhe nga Serbia, duke gjykuar nga autobusët që shihen në rrugët e Banja Lukës.
Disa mbajnë me vete flamujt e entiteteve, të Serbisë dhe Rusisë, si dhe fotografi të fëmijëve të vrarë nga lufta e mëparshme.
Në turmë mund të shihet edhe një fotografi e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
Rruga Press