Bota

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve thotë se Putini mund të nisë luftë në Ballkan

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, ka insistuar në planin e tij për të miratuar një pako ndihme për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pavarësisht kritikave me të cilat është përballur. Ai në një adresim të fundit, ka thënë se kjo pako është thelbësore për ta ndaluar presidentin rus ta zgjerojë luftën edhe në Ballkan. 

Johnson është përpjekur për javë që ta fus në rend votimin e projektligjit që mundëson ndihmat, pasi disa prej ligjvënësve republikanë e kanë kundërshtuar duke e kërcënuar me mocion për shkarkim. 

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

“Është kohë kritike për botën. Po bëj atë që besoj se është gjëja e duhur. Mendoj se ofrimi i ndihmës për Ukrainën tani është jashtëzakonisht e rëndësishme… Mendoj se Vladimir Putini do të vazhdojë të marshojë përmes Evropës nëse lejohet, mendoj se mund të shkojë në Ballkan më pas”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk mund të luajmë me politikat, por të bëjmë gjënë e duhur”.

Ndihma totale përbëhet prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Nga kjo shumë, 61 miliardë dollarë ndihmë ushtarake janë paraparë t’i jepen Kievit.

“Lufta” mbi ndihmat e ka vënë Johnsonin në presionin më të madh si kryetar. Republikani Thomas Massie ka thënë se do ta mbështes mocionin e Marjorie Taylor Greene për ta larguar Johnsonin nga karrigia. 

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

“Po ecë në hap me republikanët duke vazhduar përpjekjen për të kaluar ligje të varura nga demokratët”, pati thënë Greene, e cila udhëheq përpjekjen për largimin e Johnsonit. 

Johnsonit do t’i duhen demokratët për ta kaluar pakon e ndihmës dhe që ta ruajë pozitën e tij. Demokratët po presin të peshojnë fillimisht se a përfshin pakoja e ndihmës kërkesën që të ndahen 9 miliardë dollarë për Gazën dhe zonat tjera të konfliktit në botë.

Dhoma e Përfaqësuesve do ta vë në votim për pakon këtë të shtunë.

Rruga Press

YouTube player