Lajme

Tenderat mbi 200 milion euro vetëm për oligarkët/ PD çon në SPAK Belinda Ballukun!

”ARRSH ka shpallur 13 tendera me vlerë 200 milionë euro për ndërtim ose rehabilitim rrugësh, me kritere që minojnë garën, për të favorizuar të njëjtët oligarkë” u shpreh sot gjatë fjalës së tij, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa gjatë një deklarate nga selia.

”PD do të depozitojë në SPAK një kallëzim penal për këtë bandë hajdutësh të drejtuar nga Belinda Balluku si ministre e linjës dhe çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret’ shtoi më tej Sefa.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI PËR ÇËSHTJET LIGJORE, INDRIT SEFA

Të nderuar qytetarë! Siç jeni njohur nga mediat, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur të paktën 13 procedura tenderimi për ndërtim, zgjerim ose rehabilitim rrugësh, në një vlerë totale afërsisht 200 milionë euro. Këto procedura janë publikuar edhe në media ndërkombëtare, ku natyrisht, qëllimi i shprehur është për të marrë oferta edhe nga kompani ndërkombëtare sipas përcaktimeve ligjore për tendera me vlerë të madhe monetare.
 
Por, Balluku me zgjatimet e saj në ARRSH me qëllim që të shmang futjen në garë të kompanive të huaja, për të favorizuar ata 5 oligarkët e përhershëm që marrin këto tendera ka vendosur në kriteret e tenderimit kushte dhe afate që asnjë kompani e huaj nuk ka mundësi t’i plotësojë. ARRSH në kriteret e tenderimit kërkon domosdoshmërisht dhe ka vendosur si kriter përjashtues pikën si më poshtë:

Shoqëritë e huaja duhet të bëjnë ekuivalentimin e licencave profesionale që disponojnë të lëshuara nga vendi i origjinës, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Republika e Shqipërisë. Mosparaqitja në këtë formë është kusht skualifikues. Nga ana tjeter, çdo shoqëri e huaj që kërkon të bëjë ekuivalentimin e liçensave profesionale do të duhet t’i drejtohet portalit E-Albania për të bërë këtë proçedurë e cila kërkon minimalisht 40 ditë për të marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku.
 
Ndërkohë, të gjitha prokurimet publike që ka publikuar ARRSH kanë një afat për depozitimin e dokumentacionit që varjojnë nga 13 deri në 36 ditë. Pra siç dhe shihet asnjë shoqëri e huaj ose shqiptare që kërkon të bashkëpunojë me shoqëri të huaja nuk ka mundësi të marrë pjesë në këto proçedura tenderimi për sa kohë nuk arrin dot që të plotësojë dokumentacionin ligjor sipas kritereve të vendosura nga ARRSH.
 
Qëllimi është fare i qartë, Balluku dhe zgjatimet e saj në ARRSH duan t’i japin të njëjtëve oligarkë tenderat që kanë vlerë mbi 200 milionë euro duke përjashtuar në mënyrë antiligjore kompani të tjera shqiptare apo të huaja që në bashkëpunim mes tyre të jenë pjesë e këtyre tenderimeve. Përballë ketij skandali, Partia Demokratike do ta ndjekë në vazhdimësi e do të marrë të gjitha masat ligjore që kjo bandë hajdutësh të paravete të shqiptarëve, të cilët duan të vjedhin dhe të favorizojnë të njëjtët oligarkë me taksat e shqiptarëve, të përfundojnë pas hekurave të qelisë siç përfundoi dhe drejtori i tyre famkeq Ervis Berberi.
 
Për këtë arsye, brenda pak ditësh do të depozitojmë në SPAK një kallëzim penal të detajuar për këtë bandë hajdutësh të drejtuar nga Belinda Balluku si ministre e linjës dhe duke përfshirë çdo funksionar të ARRSH që ka firmosur kriteret për të përjashtuar kompani shqiptare apo të huaja për të marrë pjesë në garë. Partia Demokratike i bën thirrje të gjithë qytetarëve si dhe kompanive private të cilët janë viktimë e padrejtësive dhe për shumë arsye nuk i drejtohen personalisht vetë organeve të drejtësisë, të paraqesin çdo informacion që ata disponojnë në Partinë Demokratike e cila do të vendosi në dispozicion të gjithë burimet njërëzore që ajo disponon për të çuar përpara drejtësisë çdo funksionar që abuzon me detyrën shtetërore në dëm të qytetarëve shqiptar.

Rruga Press

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama
YouTube player