Zhurma dhe pamje të çuditshme – Skocia kërkon ndihmën e NASA-s për gjetjen e përbindëshit misterioz në liqenin Loch Ness
Qendra Loch Ness ka kërkuar nga agjencia hapësinore e NASA-s të jap ekspertizën e saj në një gjueti të re për një krijesë mitike.
Vitin e kaluar, një nga kërkimet më të mëdha në Loch Ness të maleve skoceze përfundoi me zhurma të forta nënujore dhe disa pamje të çuditshme të një krijese.
Bëhet e ditur se kërkimi i radhës do të realizohet në 90 vjetorin e ekspeditës së Edward Mountain, nga 30 maji deri më 2 qershor.
Që nga ajo ekspeditë e vitit 1934, vendi ka regjistruar mbi 1,156 pamje të përbindëshave në atë liqen, shkruan skynews.
“Ne shpresojmë që gjuetarët e mbarë botës të na ndihmojnë të arrijmë të komunikojmë me NASA-n”, tha Aime Todd nga Loch Ness.
“Ne shpresojmë të arrijmë te ata përmes rrjeteve sociale. Ne thjesht duam udhëzimet e ekspertëve të NASA-s për të ndihmuar në kërkimin tonë të vazhdueshëm dhe shpresojmë që agjencia të ketë një teknologji të avancuar për skanimin e liqenit”, shtoi Todd.
Bëhet e ditur se vullnetarët gjatë kërkimit të ardhshëm duhet të kenë kujdes në regjistrimin e gjetjeve dhe analizimin e tyre. Ata që nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë kërkimin personalisht mund të kyçen përmes kamerave të drejtpërdrejta në faqen Visit Iverness Loch Ness.
Gjuetarët e ardhshëm mund të dalin në kërkim edhe me varkë, duke përdorur një hidrofon 18 metra të gjatë për të dëgjuar tingujt misterioz që jehojnë nga thellësitë e liqenit.
“Vitin e kaluar ne tërhoqëm vëmendjen e botës me një nga kërkimet më të mëdha ndonjëherë, me pjesëmarrës që na u bashkuan nga Amerika, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia. Me zhurmat e pashpjegueshme, këtë vit ne kemi vendosur të zbulojmë më shumë rreth përbindëshit të pakapshëm të Loch Ness”, tha menaxheri i përgjithshëm, Paul Nixon.
Ndryshe, Loch Ness jo vetëm që është liqeni më i njohur i vendit, por edhe liqeni i dytë më i thellë i Skocisë me rreth 227 metra thellësi.
Në lidhje me përbindëshin legjendar pritet të zhvillohet edhe një shfaqje Loch Ness: They created a monster, dhe një dokumentar i cili shfaq gjuetinë e përbindëshave.
Rruga Press