Euro bie sërish, arrin në nivelet më të ulëta vjetore
Rritja e kursit të këmbimit euro-lek që ndodhi ditën e mërkurë është shfryrë plotësisht dhe kursi është rikthyer përsëri pranë niveleve më të ulëta të vitit 2024. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të premten me 102.87 lekë, në rënie të fortë për të dytën ditë radhazi.
Të mërkurën euro shënoi rritjen më të fortë që nga vera e vitit të kaluar dhe kërceu në nivelin e 104.63 lekëve. Megjithatë, siç ishte paralajmëruar, kjo rritje nuk rezultoi e qëndrueshme dhe në pak ditë kursi u rikthye në nivelet e mëparshme.
Rënia e euros është reflektuar siç ndodh zakonisht edhe në kursin e valutave të tjera.
Dollari amerikan ka zbritur në nivelin e 95.37 lekëve, nga 96.52 lekë që ishte ditën e mërkurë. Paundi Britanik ka zbritur në 120.34 lekë, nga niveli prej 121.94 lekësh i ditës së mërkurë.
Kjo ngjarje dëshmon edhe njëherë se tregu valutor shqiptar përfshihet lehtë nga paniku, ndoshta për shkak të cektësisë dhe përmasave të tij të vogla. Megjithatë, edhe ky moment është tejkaluar shpejt dhe kursi është rikthyer pranë niveleve të javës së kaluar.
Rruga Press