Vuçiqi pa detaje rreth “ditëve të vështira” për Serbinë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se më 28 mars Serbinë e presin “ditë të vështira” dhe se këtë e ka diskutuar me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuel Gioffre, dhe me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.
Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë, duke thënë se për gjithçka do të flasë më shumë “në ditët në vijim”.
Ai hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis “rrugën evropiane” pas paralajmërimeve për largimin e mundshëm të saj nga Këshilli i Evropës, nëse kjo organizatë e pranon Kosovën.
“Nuk kam dëgjuar të flitet për këtë. Po flisja për kohët e vështira që e presin Serbinë,” tha Vuçiq gjatë një vizite që ua bëri punimeve të hekurudhës Nish-Dimitrovgrad.
Më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyanis, në të cilin thuhet se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësimin e këtij vendi në organizatat ndërkombëtare dhe më 22 mars, Vuçiq njoftoi për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast të pranimit të Kosovës.
Presidenti serb u tha gazetarëve më 28 mars se situata për Serbinë është “aq e ndërlikuar dhe komplekse” sa ai duhet “të flasë hollësisht” për të.
“Nesër, ose pasnesër, do t’i merrni të gjitha përgjigjet. Situata është stabile dhe e sigurt, por a është e vështirë, është”, tha Vuçiq dhe shtoi se problemet politike me të cilat përballet Serbia “për fat të keq nuk do të largohen”.
Ai konfirmoi se kishte folur edhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik, por as për këtë nuk ka dashur të japë hollësi.
Më 26 mars, Vuçiq njoftoi në Instagram se “interesat kombëtare të Serbisë janë drejtpërdrejt të kërcënuara”.
“Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lloj lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit… Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të [Republikës] Sërpska”, tha ai.
Një ditë më vonë, ai u takua me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Beograd dhe njoftoi se kishte një “bisedë të gjatë dhe të hapur” me ta.
Pas takimit, Vuçiq shkroi në Instagram se do të vazhdojnë bisedimet me ambasadorët e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania.
Ndërkohë, një takim më 26 mars i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa marrëveshje në Bruksel për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit si mjet pagese me para në dorë është ndaluar në Kosovë që nga muaji i kaluar.
Një rund i ri i dialogut, siç është paralajmëruar, do të mbahet më 4 prill.
Në një postim në Instagram, Vuçiq përmendi “kërcënimin ndaj interesave jetike dhe kombëtare” të Republikës Sërpska, nga ku ata paralajmëruan miratimin e ligjit të tyre zgjedhor përtej të drejtave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore të këtij entiteti të Bosnjës.
Pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, më 26 mars vendosi ndryshime në Ligjin Zgjedhor të Bosnjë e Hercegovinës, i cili do të parandalojë manipulimet zgjedhore, Republika Sërpska njoftoi një seancë të posaçme për 28 mars për “situatën e sigurisë dhe politike”.
Rruga Press