Kryeministri Kurti: Demonstratat e vitit 1989, simbol i rezistencës së popullit për liri
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 35 vjetorin e demonstratave të 27 dhe 28 marsit të vitit 1989, përcjell Kosova Post.
Ndërsa kujton demonstratat kundër shtypjes, kryeministri tha se policia e Serbisë gjatë këtyre demonstratave ka vrarë 25 demonstrues dhe ka plagosur 603 të tjerë.
“Mes kapitujve të historisë së shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia pushtuese dhe të rezistencës e kryengritjes së popullit të Kosovës për liri, sot i kujtojmë demonstratat popullore të vitit 1989, në 35-vjetorin e tyre. Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, policia e Serbisë i shtypi demonstratat paqësore të shqiptarëve gjithandej Kosovës, ku vetëm gjatë atyre dy ditëve u vranë 25 demonstrues dhe u plagosën 603 të tjerë”, tha Kurti.
Për më tepër kryeministri shprehet se demonstruesit po kërkonin të drejtat e tyre politike, duke e kundërshtuar shtypjen politike dhe instalimin e regjimit diskriminues dhe kriminal të Serbisë, që vetëm katër ditë më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës.
Postimi i plotë i kryeministrit në Facebook:
Mes kapitujve të historisë së shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia pushtuese dhe të rezistencës e kryengritjes së popullit të Kosovës për liri, sot i kujtojmë demonstratat popullore të vitit 1989, në 35-vjetorin e tyre.
Më 27 dhe 28 mars të vitit 1989, policia e Serbisë i shtypi demonstratat paqësore të shqiptarëve gjithandej Kosovës, ku vetëm gjatë atyre dy ditëve u vranë 25 demonstrues dhe u plagosën 603 të tjerë. Ata po kërkonin të drejtat e tyre politike, duke e kundërshtuar shtypjen politike dhe instalimin e regjimit diskriminues dhe kriminal të Serbisë, që vetëm katër ditë më parë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës. Në ditët që i pasuan këto demonstrata, 1200 demonstrues shqiptarë u burgosën pas gjyqesh politike.
Lavdi të rënëve në demonstratat e vitit 1989 mes të rënëve në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri!
Rruga Press