KryesoreLajme

Lëvizjet ushtarake të ushtrisë serbe pranë kufirit, Musliu: Pas dështimit në Banjskë, Serbia mund të provokojë edhe me forca zyrtare

Të enjten kryeministri i vendit, Albin Kurti publikoi disa pamje, ku njësi të specializuara të ushtrisë serbe bëjnë disa lëvizje në afërsi të kufirit me Kosovën, më saktësisht lëvizjet ata i bëjnë në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Të tilla lëvizje, kryeministri deklaroi se janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit.

Një reagim mbi këto lëvizje të ushtrisë serbe e ka bërë edhe drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu.

Musliu thotë se këto lëvizje ushtarake duhet shikuar si përgatitje për akt agresioni.

“Kosova duhet ta shikojë këtë lëvizje të forcave ushtarake të Serbisë si përgatitje për akt agresioni. Pas dështimit të agresionit përmes “little green man”, më 24 shtator 2023 në Banjskë, Serbia mund të provokojë tani edhe me forca zyrtare”, thotë Musliu.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para disa ditësh ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Ne do të flasim në një mënyrë tjetër.” Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër”, kishte thënë Vuçiq.

Deklarata e tij kishte nxitur reagime të shumta në Kosovë, ku për këtë ishte deklaruar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani në një intervistë për mediat në Kosovë kishte thënë se të gjitha përpjekjet e Serbisë do të dështojnë.

“Njësoj si edhe në të kaluarën ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës kanë dështuar. E para, për shkak të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës sonë çlirimtare dhe e dyta, se në krah kemi pasur gjithmonë miq, popuj liridashës të cilët bashkë me ne kanë mbrojtur vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë”, ka thënë Osmani.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Ndryshe, Serbia kishte kryer një sulm terrorist në shator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe një polic tjetër ishte plagosur.

Pas sulmit, policia kishte konfiskuar sasi të madhe të armatimit në veri.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Ndaj tij, INTERPOL ka lëshuar një urdhërarrest.

Deri më tani, ndërkombëtarët nuk kanë vendosur asnjë masë sanksionuese ndaj Serbisë.

YouTube player