KryesoreLajme

Shtëpia botuese në Tiranë, dënon veprimet e dhunshme të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta

Ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama ka bërë një gjest jo të ri dhe jo të habitshëm, (kur vjen puna te ai si individ), por të llahtarshëm mbi të gjitha për rolin që mbart. Duke dashur si zakonisht të intimidojë, të friksojë gazetarët, dje pasi gazetarja Ambrozia Meta i bën pyetje, reagimi i tij ishte me një shkulje të veshit si për të treguar që “të të kisha në dorë çfarë do të të bëja”. Për këtë gjest ka reaguar shtëpia botuese në Tiranë Pika Pa Sipërfaqe.

Qëndrimi i plotë më poshtë:

Dëshirojmë të dënojmë veprimet e dhunshme të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta ditën e djeshme, dhe reagimin e turpshëm të kryeministrit pak orë më pas.

Z. Rama është dhunues recidiv dhe publik. Kujtojmë që pa e marrë mirë mandatin e kryetarit të qeverisë më 2013, kapi për veshi diplomatin E. Ceka në një takim në Vjenë, në një situatë gati identike me atë të djeshmen. Z. Rama ka qenë konsistent edhe në vazhdim, me veprime dhe gjuhë të dhunshme. E dyfishon dozën e abuzimit kur, pas aktit, me paturpësinë e një despoti, pohon se bëri shumë mirë që veproi ashtu si veproi, duke na kujtuar edhe se sa liberal ka qenë në të shkuarën, se ka ngrënë vetë dru dikur, se ka lyer ca pallate, e të tjera.

Z. Rama nuk ka kapur për veshi vetëm ata që i bëjnë pyetje të sikletshme. Është pa dyshim i përfshirë edhe në një kapje veshi reciproke me oligarkinë shqiptare dhe krimin e organizuar ndërkombëtar, ka kapur për veshi çdo institucion dhe individ në fushën e kulturës dhe artit, sistemin e drejtësisë, klientelën ndërkombëtare me politikanë, arkitektë, artistë, në Perëndim.

Por na lejoni të shpenzojmë pak fjalë edhe për ca dhunues të tjerë që i mbajnë iso. Nxituan, fjala vjen, disa anëtarë të qeverisë së tij, t’ia rishpërndajnë diarrenë verbale në “X” (Twitter), ku kryeministri gati krenohet me atë që ka bërë. Njerëz që përpara se të bëheshin ministra, kanë marrë miliona euro në radhët e shoqërisë civile për projekte kundër dhunës dhe diskriminimit, për lirinë e shtypit, për emancipimin e gruas – kanë ngrënë bukë dhe kanë vënë emër, pra, derisa u bënë ministra e drejtorë, pikërisht me këto punë.

Mirë Z. Rama, që ndofta është më pranë burgut se shumë të tjerë dhe ndofta s’ka për të jetuar edhe 60 vjet të tjera, po me këta që presin në radhë pas tij për t’i zënë vendin, si do t’ia bëjmë?

I ftojmë gjithë qytetarët e kësaj province barbare – që po vidhet copë-copë për t’i zgjatur jetën në pushtet këtyre njerëzve – dhe sidomos ata qytetarë që kanë zë publik, ta dënojnë ngjarjen e djeshme, dhe t’i futen punës me çdo mjet që kanë në dispozicion për t’ia bërë sa më të shkurtër jetën politike kësaj skote grabitqarësh të pacipë.

Fjala duhet përdorur atëherë kur është e vështirë të flasësh.

Rruga Press

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”
YouTube player