Ruajtja e Demokracisë!
Nga Hysamedin Feraj
RUAJTJA E DEMOKRACISË!
Një fitore e brendshme e Kosovës, e pa vënë re.
Po të mos zbatonte ligjet e Kuvendit të Kosovës, dhe më pas vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Kurti do të vendoste kështu pushtetin ekzekutiv mbi dy pushtetet e tjerë. Entuziazmi populist që do të nxiste mund ta mbante në pushtet, por demokracia do te merrte tatëpjetën. Askush nuk duhet ta dojë një shoqëri ku sundon udhëheqësi mbi ligjet dhe institucionet.
Duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai ka zbatuar e mbrojtur bindjen demokratike përballë joshjeve dhe thirrjeve për sjellje, e pakta, autoritariste.
I habitshëm është vetëm fakti se iu desh të urdhërojë Agjensionin Kadastral të zbatojë vendimin e GJK, gjë që Agjensioni duhej ta bënte automatikisht.
Të gjithë, individët dhe institucionet, duhet të zbatojnë të gjithë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Deri tani, askush nuk ka mundësinë që për vendimet e saj të ankohet te një pushtet më lart. Shto këtu faktin se për vendimet e tyre, qofshin të gabuar, të dëmshëm, ose madje të rrezikshëm për qytetarin apo vendin, gjykatësit/gjykatëset e GJK nuk mbajnë asnjë përgjegjësi (ligjore dhe politike).
Çlirimi nga përgjegjësia ligjore u jep mundësinë të bëhen të papërgjegjshëm ndaj individit, vendit, shtetit, njerëzores.
Kur bashkohen këto cilësi, GJK kthehet nga vlerë në problem! Që duhet zgjidhur nga shoqëria, dhe në mënyrë demokratike e ligjore.
Me pranimin e Kosovës në KE, së paku qytetarët fitojnë një pushtet lart atij të GJKK-së, ku mund të ankohen kur vendimet e saj i mendojnë të padrejtë.
Rruga Press