Mësonjëtorja e parë shqipe, 137 vjet nga krijimi
Më 7 mars, ditë e shpallur me një vendim të qeverisë shqiptare si “Dita Kombëtare e Mësuesve” dhe mbushen 137 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë shqipe në qytetin e Korçës. Mësonjëtorja e parë u çel në 7 mars në 1887, në kushtet e pushtimit otoman dhe ajo u krijua nga një grup rilindasish, ndërsa ishte e para shkollë fillore me një fizionomi të theksuar kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Sipas dokumenteve të kohës, veprimtaria e kësaj shkolle përshkohej nga idetë patriotike, edukata e punës dhe dashuria për dije.
Mësonjëtorja e parë shqipe u përkrah gjerësisht nga masat patriotike korçare dhe ato të mërgimit. Në këtë shkollë jepeshin lëndët, shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë. Në këtë festë Muzeu Kombëtar i Arsimit propozoi në Këshillin Bashkiak të institucionit të Bashkisë së Korçës dekorimin me tituj nderi të personaliteteve të shkollës së parë shqipe. “I jemi mirënjohës aprovimit të kërkesës sonë. Ceremonia e dekorimit të patriotëve do të zhvillohet në datën e shënuar të 7 Marsit në ambientet e Universiteti “Fan Noli”, thuhet në faqen e muzeut.
Drejtuesit e parë të shkollës qenë patriotët e Rilindjes sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj, ndërsa drejtor i parë i saj u zgjodh Petro Nini Luarasi, një nga figurat kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare shqiptare, publicist dhe pedagog. Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës.
Një nga nismëtaret e krijimit të shkollës shqipe ishte edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare dhe veprimtare e shquar, e cila punoi për arsimimin e gruas shqiptare. Me botimin e librit të saj “Abetare për shkollat e para”, ajo zuri vend në historinë e shkollës shqiptare, si e para grua autore e teksteve shkollore. Mësonjëtorja e parë shqipe pati një jetë 15-vjeçare, ku përballoi pengesat dhe vështirësitë e nxjerra nga pushtuesit otomanë dhe sidomos kleri, që kërkonte ndalimin e përhapjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Rëndësia e krijimit të kësaj shkolle qëndron në faktin se ajo institucionalizoi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri dhe krijoi një plejadë njerëzish, të cilët u bënë më vonë veprimtarë të lëvizjes për çlirim kombëtar dhe shoqëror të vendit. Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë Shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.
Rruga Press