Krerët e shtetit në Shqipëri heshtje të plotë për Adem Jasharin dhe Epopenë e UÇK-së
Datat 5,6 dhe 7 mars te shqiptarët shënojnë Epopenë e UÇK-së, 3 ditët sublime të familjes Jashari që luftoi deri në fund përballë forcave serbe.
UÇK-ja operoi jo vetëm si forcë strategjike vepruese, por edhe si mobilizim shpirtëror i vullnetit më të kulluar. Këto data vulosën idenë e sakrificës dhe se si një familje e vetme, nga më i madhi te më i vogli, nuk hezituan të japin jetën e tyre për atë që është më e shenjtë, atdheun dhe lirinë.
Emri i familjes Jashari bëri xhiro mbarëkombëtare, por edhe në mbarë botën. Për çdo vit ai kujtohen me përulje ditët e kryebetejës për liri.
Por, ndër ata pak që nuk e kujtuan ishin krerët e shtetit të Shqipërisë. As kryeministri Rama, as kryeparlamentarja Nikolla dhe as ish-ushtaraku tashmë Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Nëse viziton rrjetet e tyre sociale, nuk sheh asnjë postim rreth kësaj kryengjarjeje të kombit shqiptar. Busti i Komandantit legjendar Adem Jashari ndodhet në Tiranë, në Rrugën e Durrësit, e as aty nuk u pa që të bëhen nderume prej krerëve të shtetit dhe asnjë prej tyre nuk mori pjesë në aktivitetet që u zhvilluan dje dhe sot në Kosovë, në nder të familjes Jashari.
Kryeministri Edi Rama është parë shpesh herë të angazhohet në respektimin e shumë figurave të huaja, siç ishte dhe ish-kryeministri grek Micotaqis, të cilit pak kohë më parë iu vendos një bust në fshatin Derviçan të Gjirokastrës. Kryeministri Edi Rama dukej shumë i përfshirë dhe entuziast për respektimin e një figure të huaj dhe me të shkuar armiqësore me shqiptarët, por nuk e kishte të njëjtën përfshirje për datat dhe figurat shqiptare.
Në Shqipëri, përveç bustit të Adem Jasharit, thuajse nuk ka asnjë simbol tjetër që të lidh me luftën në Kosovë. Madje, në librat shkollorë të historisë dhe gjeografisë mungojnë të dhëna mbi historinë e plotë të shqiptarëve, territorin dhe cilësitë që e përbëjnë, ngjarjet dhe datat tona kombëtare.
© Rruga Press