KryesoreLajme

Rekord aplikimesh për subvencionim në Qendrën Kinematografike të Kosovës

Sipas njoftimit të QKK-së, për film të metrazhit të gjatë artistik mbi një orë, janë pranuar 14 projekte, për atë të gjatë dokumentar 9 projekte, sikurse edhe për atë të shkurtër dokumentar, ndërsa për film të metrazhit të shkurtër të animuar janë shtatë projekte që kanë aplikuar për mbështetje. Janë gjithsej 133 projekte të shpërndara në 11 kategori. Konkursi i hapur më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar aplikacione deri më 16 shkurt

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar për numër rekord të aplikimeve për subvencionim të projekteve filmike. Janë gjithsej 133 projekte të shpërndara në 11 kategori. Konkursi i hapur më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka pranuar aplikacione deri më 16 shkurt.

“Është mbyllur zyrtarisht konkursi i Qendrës Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike, i hapur më datën 20 dhjetor të vitit 2023. Pas shqyrtimit të projekteve filmike, komisioni ka konstatuar se sivjet në konkurs kanë aplikuar gjithsej 133 projekte, numër që shënon ngritje rekord në krahasim me vitet e kaluara”, ka njoftuar Qendra Kinematografike e Kosovës. Por QKK-ja deri në fund të viti nuk kishte hapur konkursin dhe procesi do të menaxhohet gjatë këtij viti.

Sipas njoftimit të QKK-së, për film të metrazhit të gjatë artistik mbi një orë, janë pranuar 14 projekte, për atë të gjatë dokumentar 9 projekte, sikurse edhe për atë të shkurtër dokumentar, ndërsa për film të metrazhit të shkurtër të animuar janë shtatë projekte që kanë aplikuar për mbështetje.

Për filmin e metrazhit të shkurtër artistikë janë dorëzuar 31 projekte, 5 janë të metrazhit të gjatë të regjisorëve debutantë, 25 janë për zhvillim skenari të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar. Për zhvillim projekti të metrazhit të gjatë – përfshirë atë artistik, dokumentar dhe të animuar – janë shqyrtuar 4 projekte. Për post-produksion për film të metrazhi të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar janë nëntë projekte sa janë edhe për film të metrazhit të shkurtër artistik studentor.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Në listën e publikuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës me projektet që kanë aplikuar për përkrahje filmike, në konkursin për film të metrazhit të gjatë artistik janë filmi “Sa o Roma Babo” me regjisor Agim Sopin dhe skenariste Albana Mujën, “Mulliri i erës” me regjisor Isa Qosjen dhe skenarist Zymber Kelmendin, “Tokë e zënë” me regjisor e skenarist Ardit Sadikun, “Zbardhje” me regjisore Kaltrina Krasniqin dhe skenariste Doruntina Bashën.

Në listën e aplikantëve për mbështetje është edhe “The liberation ëar” me regjisor Louis Mandylor dhe skenar të Kelly Lynn Reiter, “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” me regjisor Ben Apollonin dhe skenarist Ag Apollonin, “Tifozi” me regjisor Durim Kryeziun dhe skenarist Arian Krasniqin, “Muslimani” me regjisor Ilir Harxhin dhe skenarist Enver Petrovcin si dhe “Lule” me regjisor e skenarist Edon Rizvanollin.

Lista vijon me projektet: “Double” me regjisor Gianluca Lumiento dhe skenarist Erik Gustavson, “Bankieri” me regjisor Blerdi Malushin e Edmond Topin dhe skenariste Valina Muçollin, “Drita” me regjisor e skenarist Luan Kryeziun, “East of Limbo” me regjisore e skenariste Luana Bajramin si dhe filmi “Kthimi në mal” me regjisore e skenariste Antoneta Kastratin.

Institucioni i kinematografisë ka bërë të ditur se juria vlerësuese profesionale do të emërohet me përfundimin e procesit të punës së komisionit të konkursit e që do të vazhdojë shqyrtimin e projekteve filmike.

Konkursi që ishte njoftuar të qëndronte i hapur deri më 24 janar, dy ditë para mbylljes ishte shtyrë për deri më 16 shkurt.

Kur ishte hapur konkursi, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri kishte treguar për KOHËN se planet janë që këtë vit QKK-ja të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetrin në nëntor.

“Është më e lehtë për filmbërësit që të aplikojnë kur kemi dy konkurse në vit. Ideja është që të jetë një konkurs në nëntor, në mënyrë që të mund të përfundojë procesi deri në mars, në mënyrë që filmat që përzgjidhen e të mund të kenë kohë për të aplikuar nëpër fonde të tjera për bashkëprodhues. Në mars e në prill hapen konkurset nëpër botë”, kishte thënë Zeqiri.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Në kushte normale, QKK-ja do të duhej ta hapte konkursin në fillim të vitit. Në vitin 2022 ishte hapur më 15 korrik. Por, procedurat deri në finalizim kishin zgjatur deri në fund të dhjetorit. Më 2021 konkursi qe hapur në fund të shtatorit, përderisa më 2020 në korrik. Sa i përket vitit 2021, asokohe QKK-ja kishte telashet financiare. Sivjet, sikurse vitin e kaluar, buxheti për subvencione sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore është 1.5 milion euro.

Në vitin 2021, Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike, të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri ka shkuar në 26. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e ka mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik. Sikurse më 2021, edhe më 2022 janë përkrahur nga pesë projekte.

Në nëntë kategori QKK-ja kishte kualifikuar 51 projekte si të plota e që do të shqyrtoheshin nga juritë. Synimet e institucionit që për më shumë se një vit ishte pa drejtor, janë që numri i projekteve që përkrahen të rritet në vazhdimësi.

“Hatixhe and Shaban a story of money and shame” me producent Eshref Durmishin dhe regjisor e skenarist Visar Morinën, “Jerëm” me skenar e regji të Ismet Sijarinës, “Azil”, nën regji të Jeton Ahmetajt e skenar të Jeton Nezirajt dhe “Me fjalë të tjera” me skenar e regji të Valbona Jasharit, janë projektet për filma të gjatë artistikë që ishin përzgjedhur për t’u përkrahur me konkursin 2022-s.

Rruga Press

YouTube player