Kryeministri Kurti takon ministrin për Çështje Evropiane të Irlandës, diskutojnë për heqjen e masave nga BE-ja
Gjatë vizitës në Irlandë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi ministrin e shtetit për Çështje Evropiane, Peter Burke. Marrëdhëniet dypalëshe, integrimi evropian dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të takimit.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në proceset integruese dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas njoftimit, ai foli veçanërisht për reformat demokratike përgjatë qeverisjes së deritanishme, rezultatet e të cilave janë mbështetur edhe nga raportet e organizatave të rëndësishme e të besueshme ndërkombëtare, dhe për objektivat e Qeverisë për vitin 2024 në kontekstin e integrimeve evropiane.
“Theks të veçantë iu dha kërkesës për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe mundësisë që Plani i Rritjes së BE-së paraqet për secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Rruga Press