Kurti me kryeparlamentarin e Irlandës së Veriut, flasin për viktimat e luftës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vijoi agjendën e tij, ku u takua me kryetarin e Parlamentit të Irlandës Veriore, Edwin Poots.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në takim folën mbi historinë dhe përvojat respektive, veçanërisht në ballafaqimin me të kaluarën e dhimbshme të luftës.
Poots foli për mësimet e nxjerra nga përvoja e Irlandës Veriore në përkujtimin e viktimave.
“U theksua roli i rëndësisë që kanë muzetë për të përkujtuar çdo jetë të humbur. Me atë rast, kryeministri Kurti përmendi nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për themelimin e Muzeut të Luftës, që në qendër do të ketë dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tej, përmendi po ashtu edhe themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kurti e falënderoi Poots për mikpritjen dhe bisedën e sinqertë. Prezent në këtë takim ishin dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti dhe ambasadori Nicholas Abbott.
Rruga Press