Sveçla: Policia e angazhuar për sjelljen para drejtësisë të kriminelëve të luftës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është e angazhuar seriozisht në sjelljen para drejtësisë të të dyshuarve që kryen krime lufte.
Ai është takuar të martën me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, duke thënë se ky institut do të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në adresimin institucional “të gjenocidit nga Serbia”.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional e veçanërisht mes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë kontribuon në evidentimin e të gjitha dëshmive të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe ndihmon në sjelljen e të gjithë kryesve para drejtësisë. Ministri Sveçla e njoftoi Drejtorin Hetemi mbi angazhimin serioz dhe të suksesshëm të Policisë së Kosovës në sjelljen e të dyshuarve për krime lufte para drejtësisë dhe theksoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sveçla ka shtuar se nëpërmjet këtij Instituti do të adresohet edhe kërkimi i drejtësisë për viktimat “që i mungojnë shoqërisë dhe vendit tonë”.
Hetemi është zgjedhur së fundmi drejtor i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.
Ai ka thënë në një intervistë për KTV-në se Kosova është vonuar me evidentimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Rruga Press