Bota

Liderët evropianë premtojnë mbështetje për Ukrainën në dyvjetorin e pushtimit rus

Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë premtuar mbështetje të mëtejmë për Ukrainën, në komentet për dyvjetorin e nisjes së pushtimit rus.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Megjithatë, pushtimi në shkallë të plotë nuk u realizua, por Ukraina së fundmi pësoi një nga disfatët më të theksuara të luftës, duke humbur kontrollin mbi qytetin Adviivka.

Scholz ka thënë se Rusia jo vetëm që po sulmon Ukrainën, por “po shkatërron edhe paqen në Evropë”.

“Dhe ne, Gjermania dhe Evropa, po bëjmë më shumë – dhe ne duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë – në mënyrë që të mund të mbrohemi efektivisht. Parandalimi, gatishmëria mbrojtëse – e di që këto janë fjalë të pazakonta që vijnë nga kancelari gjerman. Fjalë që ne në Gjermani nuk i kemi përdorur për kaq shumë kohë saqë pothuajse janë harruar”, ka thënë Scholz, duke garantuar ndihmë për Ukrainën sa të jetë e nevojshme.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Ndërkohë Sunak ka thënë se tirania e Rusisë nuk do të triumfojë kurrë.

“Në këtë përvjetor të errët, ne duhet të përsërisim vendosmërinë tonë. Ky është momenti për të treguar se tirania nuk do të triumfojë kurrë dhe për të thënë edhe një herë se do të qëndrojmë pranë Ukrainës sot dhe nesër. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që duhet, për aq kohë sa duhet, derisa (Ukraina) të fitojë”, ka shtuar ai.

Londra, e cila është një nga mbështetësit kryesorë të Kievit, së fundmi njoftoi rritje të ndihmës ushtarake për Ukrainën, e cila për vitin 2024/2025 do të arrijë në 2.9 miliardë euro.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Macroni paralajmëroi homologun rus Vladimir Putin të shtunën se mbështetja e Francës për Ukrainën “nuk do të dobësohet” dhe se “nuk duhet të mbështetet në lodhjen e evropianëve”.

“Dy vjet luftë. E goditur dhe e plagosur, por ende në këmbë. Ukraina po lufton për veten, për idealet e saj, për Evropën tonë. Përkushtimi ynë ndaj saj nuk do të dobësohet. Rusia e presidentit Putin nuk duhet të llogarisë në asnjë lodhje mes evropianëve. Rezultati i kësaj lufte do të jetë vendimtar për interesat, vlerat dhe sigurinë evropiane. Franca është dhe do të mbetet me Ukrainën dhe popullin ukrainas”, ka thënë Macron.

YouTube player