Fëmijët ukrainas që humbën të dashurit e tyre në luftë flasin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Një grup i vogël i fëmijëve ukrainas të mbijetuar të luftës do të adresohen në një sesion privat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, pjesë e një përpjekjeje nga Kievi për t’u rikujtuar amerikanëve koston njerëzore të konfliktit ndikuar nga politika e brendshme amerikane.
Ata që do të adresohen përfshijnë Kiran, 14 vjeçe, dhe Ilyan, 11 vjeç, nga qyteti i Mariupolit. Shpresa është që historitë e tyre personale do të prekin republikanët në kohën kur pakoja ndihmëse për Ukrainën është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Isha në stacionin e autobusëve në orën 6 të mëngjesit, duke pritur të shkoja në shkollë, kur fillova të dëgjoja shpërthimet. Atëherë e kuptova se lufta kishte nisur”, i ka thënë Kira Guardianit para se të nisej për në New York.
Kira kaloi një muaj e strehuar, duke u fshehur nëpër shtëpi, bodrume dhe për një kohë në një kishë, ndërsa Mariupoli po bombardohej e ushqimi, uji dhe elektriciteti mungonin.
Fillimisht ajo shkoi të gjyshi, më pas me babanë e saj, Yevhen Obedinskyi, diku tjetër derisa shpërthimet dëgjoheshin gjithnjë e më shumë, ka thënë Kira. Eventualisht arriti në një pikë ku duhet të iknin.
Yevhen u vra dhe për shkak se “rusët po gjuanin dritaret” Kira dhe familja e saj u deshtë ta linin trupin e tij pas, duke ikur për t’u fshehur në një bodrum.
Pas disa javësh, vajza dhe familjarë të saj u përpoqën të iknin nga Mariupoli. Ajo kujton se iu tha se do t’i jepej çokollatë nëse dilnin jashtë qytetit, por ata u kapën nga separatistët pro-rusë.
Kira kujton një shpërthim dhe se përfundoi në një spital në Donetsk, ku aty rusët i thanë se do të dërgohej në jetimore nëse të afërmit e saj nuk do të mund të kalonin për ta marrë.
Gjyshi i saj dëgjoi se ku ndodhej dhe kaloi dy muaj nëpër betejën e ashpër që ta kthente vajzën në Ukrainë.
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës vlerëson se 528 fëmijë janë vrarë që kur nisi pushtimi gati dy vjet më parë dhe 2,134 janë të zhdukur. 19,500 të tjerë besohet se janë kidnapuar dhe dërguar në Rusi.
Rruga Press