KryesoreLajme

Kurti: Me SHBA-në jemi partnerë, por s’do të thotë që pajtohemi përherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë të mira, duke shtuar se si aleatë “nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë”.

Kurti është shprehur të hënën se Qeveria e ka për detyrë ta respektojë Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që ndaloi përdorimin e dinarit serb.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se zhvillimet e fundit rreth dinarit kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit SHBA-Kosovë.

“Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shumë i mirë, tashmë jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale”, ka thënë Kurti.

Kurti, që mori pjesë në vënien e gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë të Kmetocit, ka thënë se do të shkojë në Bruksel nëse do ftohet për nënshkrim të marrëveshjes me Serbinë.

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe i përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet që ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, këto do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nese nuk është bërë në shkurtin e marsin e 2023-s, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, është shprehur Kurti.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Kreu i Qeverisë ka theksuar se me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë diskutuar për dialogun dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve.

“…Por nuk më është thënë se do të ketë ftesë për një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Nëse më vjen ajo ftesë natyrisht se do ta shqyrtojmë dhe unë në përgjithësi jam pozitiv, por e ritheksoj që shkeljet e deritashme e mosrespektimet e marrëveshjeve që i ka bërë Serbia, e që kulmuan me letrën e kryeminsitres Bërnabqi, që ajo praktikisht u tërhoq nga marrëveshja, e praktikisht ato anulohen me nënshkrim”, ka theksuar Kurti.

Derisa ka folur për marrëdhëniet me Serbinë, ai ka thënë se ky shtet fqinjë nuk po armatoset për t’u mbrojtur.

Sipas Kurtit, Serbia nuk ka se nga kush të mbrohet.

“Ajo e blen për shkak të Kushtetutës së saj agresive dhe projekteve të saj serbomadhe. Në veçanti blen armatim nga Federata Ruse dhe nga Kina për bindjen time ajo dëshiron që t’i dëshmohet sidomos Kremlinit që është në vazhdimësi me politikën e Putinit pikërisht se është agresive ndaj Kosovës. Ne kemi dëgjuar shpesh teza se Beogradi ka marrëdhënie të mira me Moskën se i nevojitet Moska në raport me Kosovën. Unë do të thosha që kjo është e vërtetë mirëpo edhe e kundërta është e vërtetë”, ka thënë ai. Sipas tij, Beogradi është shumë agresiv ndaj Kosovës pikërisht që të dëshmohet karshi Putinit. “Sepse Putini nuk i beson askujt dhe si një diktator disputik ka nevojë që ata që i konsideron miq t’i dëshmohen atij dhe këtë e bën presidenti i Serbisë, Vuciq i cili duke blerë armatime dhe duke dhënë deklarata agresive ndaj Kosovës dëshmohet me besnikërinë e tij te president i Rusisë”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Kurti ka shtuar se normalizimi duhet të bëhet, por ka thënë se ky normalizim i raporteve s’mund të arrihet njëanshëm.

“Pra, nuk mund të kemi një normalizim i cili është në kundërshtim me të drejtën e Republikës së Kosovës për të ekzistuar, për t’u mbrojtur e për të qenë e lirë. Por, duhet të jetë edhe sipas standardeve dhe normave evropiane, meqenëse Brukseli është vendi ku bëjmë marrëveshje dhe bashkëbisedojmë, por njëkohësisht edhe Brukseli përcakton kornizën, le të themi kornizën politike dhe vlerore të kontinentit që i përkasim”, ka deklaruar ai.

Kurti ka potencuar se pret mbështetje nga Shqipëria “gjithnjë më shumë e më mirë se sa nga kushdo tjetër”.

YouTube player