Lajme

Organizatat mjedisore në Shqipëri kundër ndryshimeve të propozuara në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”

Organizatat kryesore mjedisore në Shqipëri, si dhe ekspertë e përfaqësues të botës akademike, u shprehën të premten kundër ndryshimeve të propozuara nga një grup prej 12 deputetësh të Partisë Socialiste si dhe nga qeveria në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.

Me keqardhje shikojmë, thuhet në reagimin e organizatave, se qëndrimi i qeverisë është edhe më i rrezikshëm se drafti i parlamentit. Ai përligj tjetërsimin e zonave të mbrojtura, legjitimimin e gjithë ndërtimeve e ndërhyrjeve të paligjshme në zona të mbrojtura dhe miratimin e çfarëdo investimi të ashtuquajtur strategjik në zemër të zonave të mbrojtura”.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë në deklaratën e përbashkët se “i kërkojnë parlamentit dhe sidomos qeverisë të tërhiqen nga propozimet e paraqitura deri më tani, të tregojnë transparencë, të hapin procesin për këshillimin e duhur mjedisor të draftit përfundimtar të projekt-ligjit si dhe të dëgjojnë argumentet e organizatave, institucioneve akademike dhe shkencore dhe partnerëve ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së natyrës”.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

Një draft i detajuar propozimesh i qeverisë që përfshinte “dhënie mendimi” për projektligjin e “Zonave të Mbrojtura” nga disa ministri u dorëzua këtë javë në Kuvend dhe pritet të shqyrtohet në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese dhe mjedisit.

Drafti i jep kopetenca Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e sipërfaqeve në Zonat e Mbrojtura në varësi të lejeve të zhvillimit strategjik.

Qeveria nuk ka pranuar në draft-propozimin e deputetëve për administrimin e 20% të Zonave të Mbrojtura nga bashkitë, por ka lejuar që qeveritë vendore të shfrytëzojnë sipërfaqet kullosore brenda Zonave të Mbrojtura.

Sipas draftit të paraqitur në Kuvend nga qeveria parashikohet krijimi i strukturave të reja, krahas Administratës së Zonave të Mbrojtura, të cilat do të quhen “Zyra të Administrimit të Parqeve Kombëtare” dhe do të varen nga ministria e Mjedisit.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Organizatat mejdisore thonë në reagimin e tyre se “Përfituesi më i madh nga ndryshimet e propozuara në ligj është Këshilli Kombëtar i Territorit që rrëmben gjithë pushtetet e politikat në Zonat e Mbrojtura.”

Sipas organizatave mjedisore “Këshilli Kombëtar i Territorit nuk ka asnjë përvojë të këshillimit publik që shërben si garant i ruajtjes së vlerave të Zonave të Mbrojtura. Në të njëjtën kohë ky rol i ri i KKT zhbën të gjitha kompetencat e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit dhe të gjithë Agjencive të saj të varësisë duke anulluar paketën ligjore mjedisore të ndërtuar në frymën e transpozimit të Direktivave Evropiane thonë organizatat në deklaratën e përbashkët.

Rruga Press

YouTube player