Opinion/Aktualitet

VOA mbi raportin e ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit, problem “patronazhistët” dhe përdorimi i administratës në fushatë

Raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, i publikuar të hënën, i përmbahet gjetjeve kryesore të përfshira që në përfundimet paraprake, të nesërmen e votimit, duke u pasuruar për disa nga çështjet me elementë shtesë.

Ndërsa vlerëson procesin zgjedhor, dokumenti i përgatitur nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtar, përmend shqetësimet lidhur me fenomenin e shitblerjes së votës, shfrytëzimit nga ana e Partisë socialiste të burimeve që i jep të qënurit në pushtet, si dhe ofron një seri rekomandimesh për zgjedhjet e ardhshme.

Raporti i qëndron vlerësimit se “në zgjedhjet e 25 Prillit, votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore” dhe se “pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje”. Megjithatë raporti vëren se “ndërsa një numër rekomandimesh të ODIHR dhe Komisionit të Venecias u morën parasysh në ndryshimet ligjore, rekomandime të tjera mbeten të patrajtuara, përfshirë ato që lidhen me de-politizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët, të drejtat e votimit të personave me aftësi të kufizuara, përgjegjësinë penale për shpifje dhe përdorimin në lajme të materialeve të fushatës”

Partia socialiste në pushtet, e cila fitoi një mandat të tretë qeverisës kritikohet se “mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike. Kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media” thekson raporti, i cili më tej vëren se “pavarësisht një kuadri ligjor solid që ndalon shpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizon avantazhin e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Publiciteti që erdhi si rrjedhojë e kësaj i dha partisë qeverisëse një avantazh të konsiderueshëm”.

Nga ana tjetër vihet në dukje se presidenti Ilir Meta, “në kapacitetin e tij zyrtar bëri fushatë kundër partisë qeverisëse”.

Sipas misionit ndërkombëtar të vëzhguesve “pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës. Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem. Një numër i lartë i hetimeve u hapën në këtë drejtim. Rreth 30 hetime kriminale të blerjes së votës dhe rreth 50 çështje penale për parregullsi të tjera u iniciuan në lidhje me zgjedhjet e 2021”.

Raporti vë në dukje se “ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim”. E po ashtu dhe “rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël ndaj trysnisë”, thekson raporti duke ju referuar kështu sistemit të patronazhistëve të ngritur nga Partia socialiste.

Raporti përfundimtar vlerëson qartazi rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe strukturave të tij, përfshirë fazën e ankimimeve në të cilën u angazhua dhe Kolegji Zgjedhor. Sipas ODIHR-it ankimimet dhe apelimet “u morrën në konsideratë në një proces të hapur dhe të rregullt, me respektimin e të drejtave procedurale të palëve dhe vendimet të justifikuara në mënyrë të arsyeshme”.

ODIHR ka ofruar dhe një seri rekomandimesh “për të mbështetur përpjekjet për të harmonizuar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”. Janë të paktën 5 rekomandime që cilësohen si përparësore e që lidhen “me nevojën për të rishikuar më tej kornizën ligjore, për të garantuar të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë, për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës, për garantimin e sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve dhe kufizimin e përdorimit në lajme të materialeve elektorale”.

Në zgjedhjet e 25 Prillit Partia socialiste siguroi e vetme shumicën me 74 deputetë. Partia Demokratike mori 59 vende në parlamentin e ardhshëm, ndërsa aleatja e saj kryesore LSI, e cila garoi më vete, do të ketë 4 deputetë. Opozita vijon të denoncojë zgjedhjet duke i konsideruar ato një masakër elektorale, e duke deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë ato, pavarësisht se në shtator do të jetë pjesë e parlamentit të dalë nga këto zgjedhje. Edhe në një reagim pas publikimit të raportit, kryetari demokrat Lulzim Basha shprehet se ky dokument “konfirmon se më 25 prill u tjetërsua vullneti i shqiptarëve. Raporti konfirmon atë që të gjithë shqiptarët e dinë tashmë: 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme”. Ndërsa sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë socialiste, Taulant Balla, Shqipëria mori “raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite”

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *