KryesoreLajme

Organizata ndërkombëtare denoncon mbajtjen në robëri të kafshëve të egra në Shqipëri

Organizata ndërkombëtare e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, “Four Paws”, ngriti alarmin se në Shqipëri vazhdon shfrytëzimi i kafshëve të egra si arinjtë, macet e egra apo këlyshët e luanëve, ndërsa i bëri thirrje Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të merrte masa.

“Më shumë se 27 raste të dokumentuara gjatë 2023-2024 zbulojnë shfrytëzimin e maceve të egra, këlyshëve të luanëve, si edhe kafshëve të tjera të egra për qëllime komerciale,” shkruan Four Paws, duke i cilësuar këto si të dhëna alarmante për abuzimin me kafshët.

“Four Paws” është një organizatë ndërkombëtare në mbrojtje të kafshëve, të cilat mbahen në kushte të papërshtatshme për mirëqënien e tyre. Në dhjetor të vitit 2022 ata shpëtuan ariun Mark, i cili prej vitesh mbahej në robëri në një prej restoranteve në periferi të Tiranës.

Së fundmi kjo organizatë zbuloi një rast tjetër ku dy këlyshë arinjsh të murrmë mbaheshin në mënyrë të paligjshme në një hotel dhe restorant privat në Parkun Kombëtar të Tomorrit.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Aktivistët theksojnë se prej shtatorit 2023, kur ata u vunë në dijeni të rastit, komunikuan me autoritetet vendase për të reaguar dhe për të shpëtuar arinjtë, por ata u zhdukën përpara se të mund të shpëtoheshin.

“Four Paws ishte gati të mbështeste dhe të shpëtonte këlyshët e arinjve të murrmë, që janë specie të mbrojtura, por Ministra e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri nuk u reagoi në kohë dhe nuk zbatoi ligjin,” thuhet në deklaratën e organizatës.

Sipas aktivistëve, mosreagimi i duhur i ministrisë ka bërë që kafshët të zhduken nga subjektet ku ndodheshin, dhe tashmë vendodhja e tyre mbetet e panjohur.

“Pavarësisht se autoritetet na siguruan se do të gjehej një zgjidhje për arinjtë, zhdukja e tyre e papritur pas muajve të tërë pa marrë masa është zhgënjyese”, tha Barbara van Genne, drejtoreshë pranë Departamentit për Kafshët e Egra në organizatën Four Paws.

Van Genne tha se përgjegjëse e vetme për këtë incident që mund të shmangej, ishte pikërisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Është përgjegjësi e shtetit shqiptar për të siguruar ruajtjen dhe mbrojtjen e arinjve dhe kafshëve të egra nga abuzimet e paligjshme,” theksoi ajo.

Sipas përllogaritjeve të Four Paws janë gjithashtu rreth 60-80 mace të egra që mbahen në mënyrë të paligjshme në robëri nga bizneset private në Shqipëri.

“Kafshët e egra po përdoren për reklamim në rrjetet sociale dhe në platformat online, në videot muzikore, ose po abuzohen duke u përdorur si argëtim për vizitorët e restoranteve dhe hoteleve,” thuhet në deklaratë.

Drejtoresha e Departamentit të Kafshëve të Egra në Four Paws u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse për të marrë masat e nevojshme për zbatimin e ligjit lidhur me mbrotjen e kafshëve të egra.

“I bëjmë thirrje autoriteteve vendase të ndërtojnë sa më shpejt një strehëz për kafshët e egra, në mënyrë që të zbatohet ligji dhe të bëhet i mundur akomodimi i kafshëve të egra që konfiskohen nga bizneset që i mbajnë në mënyrë të paligjshme,” përfundoi Barbara Van Genne.

Rruga Press

YouTube player