KryesoreLajme

Zhurma për dinarin serb, Kurti ua sqaron diplomatëve të huaj në Kosovë, esencën e rregullores së BQK-së

Me ftesë të tij, kryeministri Albin Kurti mirëpriti në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për të diskutuar mbi çështje aktuale, me theks te Rregullorja e Bankës Qendrore për Operacione me Para të Gatshme.

Kurti, bashkё me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, ndanë me ambasadorët e pranishëm qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe argumentet mbi rëndësinë dhe detajet e rregullores në fjalë.

Siç njofton Qeveria, ata sqaruan që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë.

“Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë”.

Nga ana e Qeverisë u theksua se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Kryeministri tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia.

“Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës”.

Rregullorja mundëson pranimin e fondeve, pagave dhe pensioneve nga jashtë si formë e transfereve në këto llogari bankare, dhe sipas saj dinari mund të shërbejë si mjet për kursim fizik, në llogari kursimi në bankë dhe këmbehet në këmbimore të licencuara.

“Pra nuk pengon qasjen në financa, në të njëjtën kohë që qasja fizike ofrohet përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare gjithandej vendit – vetëm në katër komunat në veri të vendit janë gjithsej 15 institucioneve financiare jo-bankare dhe katër degë të bankave komerciale”.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Megjithëkëtë, Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar.

Ai gjithashtu i njoftoi se nga Banka Qendrore e Kosovës ka marrë konfirmimin se është e gatshme të angazhohet në diskutim profesional e operacional me Bankën Popullore të Serbisë për të asistuar në identifikim e mekanizmave ligjorë, tё sigurt dhe transparent tё transferimit tё çfarëdo formë të mbёshtetjes nga Republika e Serbisё.

Rruga Press

YouTube player