Për moralistët apo idealistët që komentojnë nga shpati
Shkruan Arsim Zekolli, duke iu drejtuar idealistëve të rremë, moralistëve që duan të baltosin opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut, e cila pritet të rrëzojë nga pushteti BDI-në, pas shumë vitesh abuzime, korrupsion dhe shthurje të fuqisë së elementit shqiptar
Asgjë e re në argumentet tuaja, vetem se version i Dardan Moliqajt në Kosovë ose Ilir Metës në Shqipëri, ku merr rolin e kinse parimorit, por në fakt bën punën e pushtetit.
Izeti nuk ka ngrit zërin kundër korrupsionit, por së paku nuk ka gënjyer sikur BE-ja dhe ShBA-ja që lavdëronin vendin për 20 vite sundimi. E pra, të mos besojmë as ne BE-në dhe ShBA-në, sipas teje.
Në kohën e Izetit ka pasur korrupsion dhe kjo të pengon, por në emër të atij parimi je i gatshëm që të pranosh korrupsionin e tanishëm epidemik të Grubit. Për hatër parimi, je i gatshëm që shqiptarët të kalojnë edhe 20 vite tjera nënshtrimi, korrupsioni, deri sa të realizohet ideali yt fallco për liderë pa njolla.
Në përzgjedhjen mes BDI-së dhe opozitës, kemi një matematikë të thjeshtë: një konstant negativ që premton degjenerimin total të shqiptarëve, deri në shkaterrim total dhe variabël që nuk garanton, por së paku premton ndërprerjen e absolutizmit destruktiv të BDI-së.
Për dallim nga komoditeti yt kuazi-idealist, shqiptarët jetojnë të kapur në përzgjedhje mes së keqes së madhe dhe së keqes më të vogël. Ti preferon të keqen e madhe, dhe kjo është e drejta jote. Por shqiptarët që nuk e kanë komoditetin tënd preferojnë të keqen e vogël, në të cilën shohin një fije shprese që të levizin nga matematika në të cilin nuk perceptohen fare nga BDI-ja.
Dhe në fund, asgjë nuk konfirmon lojën tënde të ndyrë të pseudo-parimorit më shumë se sa rënditja e faktorëve lindje, nga Irani e deri te Turqia. Këtë lojë cinike nga oborri Rama-Ahmeti e detekton menjëherë si tentativë për të trumpetuar për Turqinë dhe Iranin, për të ikur nga lidhjet me Moskën. Edhe ti, sikur Rama-Ahmeti, nuk keni dëshirë, nuk keni argumente dhe keni ndërgjegjen e papastër për lidhjet me Beogradin dhe Moskën përmes Daka Davidoviq-it, përmes Open Balkanit, përmes faljes së territoreve, shoqërimeve me Putinin etj.
Sërish, sikur në matematikat tjera, pseudo-idealizmi yt nuk ka problem me faktikun e lidhjeve ruso-serbe, por problematizon hipotetiken e lidhjes me Turqinë. Edhe këtu dëshmon hipokrizinë tënde. Irani është sot partneri numër një ushtarak i Vuçiqit, atij Vuçiqi që shoqërohej me Ramën, Ahmetin në Ohër, në Open Balkan.
Po ashtu, është i njëjti Erdogan që Rama e quante vëlla, tok me Vuçiqin, është po ai Erdogan që sot është idoli i sektit torbesh përbrenda BDI-së, për të cilin ti nuk ke asnjë vërejtje.
Ajo që në fakt të pengon është se për të parën herë në keto 20 vite, vendimet shqiptare janë burimore, autonome dhe jashtë diktatit të LPK, Sigurimi, UDB, si dhe kalkulimeve në të cilat shqiptarët duhet patjetër dhe 24 orë e shtatë ditë në javë të dëshmojnë se janë të mirë, të vlefshëm për përkrahje.
Prandaj të pengon ky moment, pasi nuk je i perfshirë, nuk je i pranuar, nuk je i inkuadruar në asnjë lëvizje autonome, por mbetesh vetëm, si një nga qindra e mijëra që në emër të idealizmit fallco keni sjellë këtë realitet brutal për shqiptarët.
Të kuptoj, megjithatë të përkujton Ali Ahmetin në kohën e emigracionit kur kishte gojën helm për Ibrahim Rugovën, për Nevzat Halilin, për Adburahman Halitin, kur secili veprimtar nga ai konsiderohej i dyshimtë, kur asnjëri nuk mund t’i afrohej Ali Ahmetit për idealet e tij, që në fakt, në fund dolën se ishin tërësisht të rrejshme, profitereske, tradhëtare dhe kriminele.
Rruga Press