KryesoreLajme

Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura s’mund të negociohet nga politikanët

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për rregullimin e valutës zyrtare, e përjashtimin e dinarit serb, nuk mund të jetë çështje negocimi nga politikanët.

Në një deklaratë për mediat të enjten në mesditë, Kurti ka thënë se çfarëdo ankese a vërejtje për këtë çështje “do të adresohet me seriozitetin më të lartë e shpejtësinë më të madhe”.

“Banka qendrore e Kosovës është institucion i pavarur. S’munden politikanët t’i mbivendosen institucionit të pavarur sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike. Duhet të përpiqemi që gjithçka të shkojë mirë qetë, në paqe, e siguri. Por kushtetutshmëria, ligjshmëria dhe vendimmarrja e institucioneve të pavarura s’mund të negociohet nga politikanët”, ka thënë Kurti pas homazheve te kompleksi memorial i Ylfete dhe Mentor Humollit.

Lexo më shumë  The Guardian pasqyron detin me protestues që i kërkojnë dorëheqjen Ramës

Sa i përket çështjes që kjo rregullore të kalojë në fazë tranzitore dhe të mos nisin ndëshkimet nga dita e parë, Kurti ka thënë se kjo tashmë ka nisur që nga dhjetori.

“Me sa di unë, gjithçka ka shkuar në rregull dhe pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së, kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata u përpoqën të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  OVL nuk përfaqëson asgjë më shumë sesa politikën e PDK-së, partia që ka abuzuar dhe vazhdon të abuzojë me UÇK-në

Të enjten ka hyrë në fuqi rregullorja që përcakton se të gjitha pagesat në Kosovë duhet të bëhen në euro. Rregullorja hyri në fuqi pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të saj dhe për negocim.

Pas deklaratës së Kurtit, të enjten ka reaguar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Ai ka thënë se SHBA-ja druan se vendimi mund të nxisë tensione të reja në veri.

YouTube player