Buxheti i Tiranës, Alimehmeti: Nuk është për arsimin, shërbimet publike, zjarret, po për vetëm xhepat e pak njerëzve
Z. Ilir Alimehmeti, Kryetar i Këshilltarëve Demokratë në Bashkinë e Tiranës, ka bërë transparente para qytetarëve të Tiranës në veçanti, se ku është fokusuar buxheti i Bashkisë së Tiranës për këtë vit, i bashkisë së drejtuar nga socialisti Erion Veliaj.
Duke hequr një paralele midis ulje-ngritjeve se ku janë drejtuar fondet , Alimehmeti vërejti se rritje kanë përfituar pikërisht ato shpenzime që shkojnë në xhepat e pak njerëzve dhe ulje, të gjitha shërbimet direkte për qytetarët.
Në një konferencë shtypi sot së bashku me grupin e këshilltarëve të opozitës, Alimehmeti ndër të tjera tha:
“Të vetmet shpenzime që janë rritur janë rritur shpenzimet për administratën, për Policinë bashkiake (që nuk ka asgjë të keqe të rriten se ata po zbatojnë ligjet, por ligjet janë të vendosura jo saktë, jo në favor të qytetarëve) si dhe janë rritur për inceneratorët. Këta janë tri zërat e vetëm për të cilët janë rritur shpenzimet në 2024-ën nga bashkia e Tiranës.
Po për çfarë janë ulur shpenzimet në Tiranë?!
Janë ulur për arsimin bazë, për fëmijët tanë. Janë ulur për të rinjtë. Janë ulur për sportin dhe argëtimin. Janë ulur për trashëgiminë kulturore. Janë ulur për shërbimet publike. Janë ulur për mbrojtjen nga zjarri dhe janë ulur për mbrojtjen nga përmbytjet dhe një sërë shërbimesh të tjera që i shërbejnë pikërisht qytetarit. Çdo shërbim që i shërben qytetarit ka pasur rënie në buxhetin 20024 dhe çdo shërbim që i shërben xhepave të pak njerëzve kanë pësuar rritje, duke nisur nga inceneratori i pari, ku nuk ka asnjë tullë të vetme të vendosur.”
Rruga Press