“Human Rights Watch” shpreh rezerva për paktin Shqipëri–Itali për emigrantët
Organizata për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW), ka shprehur rezerva për marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pakti, që lejon palën italiane të shfrytëzojë disa qendra në territorin shqiptar për të vlerësuar statusin e azilkërkuesve kryesisht nga vendet e Afrikës Veriore dhe më tej riatdhesimin e tyre, është shpallur si i pajtueshëm me kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ndërsa në Itali ka avancuar deri në Senat për t’u miratuar përfundimisht.
Sipas HRW, plani mes dy shteteve fqinje ngre disa pikëpyetje.
“Si do të ndikojë devijimi i anijeve italiane të shpëtimit, që do të zhvendosen drejt Shqipërisë nga portet më të afërta e të sigurta italiane, në operacionet italiane të kërkim-shpëtimit në Mesdhe? A do të ndahen familjet? Ku, si dhe nga kush do të identifikohen më “të rrezikuarit”? Si do të garantojnë autoritetet italiane, procedurat e drejta të azilit ose vlerësimin gjyqësor të mbajtjes në Shqipëri?
Është i paqartë edhe legjislacioni që do të zbatohet. Italia thotë ‘ligjin italian’ dhe i BE-së, por Komisioni Europian fillimisht tha që plani është ‘jashtë legjislacionit të BE-së’. Më vonë ndryshoi qëndrim, duke thënë se do të monitorojë zbatimin e tij për të vlerësuar ‘pajtueshmërinë me ligjin e BE-së’,” njoftoi organizata me seli në Nju-Jork, SHBA.
Marrëveshja për emigrantët i mundëson Italisë të ngrejë në Shqipëri dy qendra me një kapacitet prej 3 mijë personash, përfshirë azilkërkues të shpëtuar nga rojat bregdetare dhe anijet ushtarake italiane gjatë emigrimit ilegal me anije drejt territorit europian, për të identifikuar, për të ndjekur procedurat e azilit ose riatdhesimin e tyre. Gratë, fëmijët dhe personat e kategorizuar si “të rrezikuar” do të përjashtohen. Sipas disa vlerësimeve, informon HRW, plani mund të kushtojë 700 milion euro gjatë pesë viteve të para. /HRW
Rruga Press