Kurti dhe Sveçla vizitojnë Inspektoratin Policor, prezantohen angazhimet dhe arritjet e IPK-së në vitin 2023
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan Inspektoratin Policor të Kosovës, ku u pritën nga kryeshefi ekzekutiv, Kushtrim Hodaj.
Në këtë takim u prezantuan angazhimet dhe arritjet e IPK-së gjatë vitit 2023 si dhe prioritetet e vitit 2024, sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit.
“Në takim u prezantuan angazhimet dhe arritjet e IPK-së gjatë vitit 2023 si dhe prioritetet e vitit 2024. Profesionalizmi dhe angazhimi i Inspektoratit Policor të Kosovës reflekton në efikasitetin dhe ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në mesin e temave të diskutuara ishin dhe rëndësia e trajtimit efikas të rasteve të raportuara nga qytetarët, ruajtja e të dhënave të raportuesve si dhe trajtimi i paanshëm dhe profesional i rasteve të pranuara.
Duke shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e tyre, Kurti falënderoi Inspektoratin dhe përfaqësuesit për bisedën dhe përkushtimin e vazhdueshëm dhe ofroi mbështetjen e mëtutjeshme në realizimin e detyrave të tyre.
Rruga Press