Lajme

27% e punonjësve shqiptarë janë të mbikualifikuar për punën që bëjnë

Gati 40% e punonjësve shqiptarë me pagë kanë një nivel arsimi që nuk përputhet me punën që bëjnë.

Të dhënat nga Anketa Europiane për Aftësitë dhe Tregun e Punës në Shqipëri tregojnë se, pothuajse një në tre (27%) shqiptarë raportojnë se kanë një arsim më të lartë se sa kërkon vendi i tyre i punës, ndërsa më shumë se një në dhjetë (12%) thonë se janë të nënkualifikuar për pozitën aktuale të punës.

Burrat kanë pak më shumë gjasa (28%) të tregojnë se kanë një arsim më të lartë se sa ajo që kërkon vendi i punës sesa gratë (25%).

Të anketuarit e moshës 25-34 dhe 55-64 vjeç kanë gjithashtu më shumë gjasa të deklarohen se janë të mbikualifikuar se sa punëtorët e moshës mesatare – 32% dhe 37% e atyre të moshës 25-34 dhe 55-64, thonë se janë të mbikualifikuar kundrejt një në pesë në mesin e punëtorëve të moshës së mesme.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Gati një e treta (34%) e të anketuarve me nivel të ulët arsimor tregojnë se janë të mbikualifikuar për punën që bëjnë, ndërsa vetëm 14% të atyre me arsim të lartë mendojnë në këtë mënyrë.

Një në pesë (20%) nga ata me arsim të nivelit të ulët thonë se kanë një arsim më të ulët se sa kërkon vendi i tyre i punës, krahasuar me një në dhjetë (10%) të atyre me arsim të mesëm dhe 6% të atyre me arsim të nivelit të lartë.

Përqindja më e lartë e punëtorëve të mbikualifikuar mund të gjendet edhe në mesin e atyre që mbajnë pozita gjysmë të kualifikuara (41%), ky është rasti i 28% të punëtorëve që merren me punë manuale, 23% e atyre që punojnë në profesione elementare dhe vetëm 12% e atyre që punojnë në profesione të kualifikuara.

Rreth 31% e të punësuarve në shërbime e konsiderojnë veten të mbikualifikuar për punën e tyre, 27% të punëtorëve në bujqësi apo industri dhe 19% e atyre që punojnë në sektorin publik, arsim dhe shëndetësi.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Rreth 32% e punëtorëve që përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre në një masë të vogël ose aspak, tregojnë se janë të mbikualifikuar kundrejt 24% e atyre që përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre në një masë të moderuar ose të madhe.

Afër një në tre (31%) e të anketuarve në Shqipëri raportojnë se puna e tyre kërkon arsim të lartë (krahasuar me 38% në EU27 dhe 26% në Ballkan).

Një përqindje e ngjashme (34%) thonë se puna e tyre kërkon një arsim të mesëm të ulët ose më poshtë, krahasuar me një në pesë (19%) në BE-në dhe në Ballkan (20%).

Shumica e punonjësve shqiptarë punojnë në vende pune që kërkojnë një fushë studimi të tyre ose të ngjashme./Monitor

YouTube player