Lajme

Osmani takim me komandantin e KFOR-it: Bandat kriminale serbe ende të lira, mos ndëshkimi i tyre është mesazh i keq

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një takimi sot me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se bandat kriminale serbe që sulmuan misionin e NATO-s në muajin maj, fatkeqësisht janë ende të lirë dhe mos ndëshkimi i tyre është mesazh i keq dhe inkurajim për Serbinë që të sulmojë serish.

Ajo e përgëzoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në Kosovë, si dhe shprehu mirënjohje për shtimin e trupave që po mbështesin institucionet vendore në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit serb më 24 shtator në Banjskë.

Lexo më shumë  Dëshmitë e krimit: Kosova bëhet me muze të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Osmani ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në vend, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë.

Ajo po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj.

Lexo më shumë  Kosova do të hapë fabrikën e prodhimit të municionit dhe dronëve. Kurti: Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Presidentja Osmani shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.

YouTube player