Mbi 200 studentë nga Kosova mund të studiojnë në universitete prestigjioze hungareze vitin tjetër
225 të rinj nga Kosova do të kenë mundësi të studiojnë në universitete prestigjioze hungareze duke nisur nga viti akademik 2024/2025.
Kjo pasi Ministria e Arsimit ka nënshkruar të enjten Memorandum Bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, për Programin e Bursave Stipendium Hungaricum, për vitet 2024–2026.
“Qëllimi i këtij Memorandumi është të lehtësojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, duke kontribuar kështu, në një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm në fushën e arsimit të lartë”, thuhet në njoftimin për media.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka falënderuar Qeverinë e Hungarisë për mbështetjen financiare të studentëve nga Kosova ndër vite, me theks mbështetjen e cila pritet që të ofrohet përmes këtij Memorandumi, përgjatë dy viteve.
“Ministrja Nagavci ka thënë se përgatitja e kuadrove në fusha të caktuara me interes për shoqërinë, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit”.
“Ndërsa, Ambasadori i Hungarisë, Bela Boszik ka falënderuar ministren për gatishmërinë e saj për të thelluar bashkëpunimin dhe u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fushën e arsimit”, bëhet e ditur më tej në komunikatë.
Në kuadër të këtij programi, Hungaria do të ofrojë çdo vit 75 bursa Bachelor, Master, dhe PhD për studentët kosovarë që duan të studiojnë në universitetet hungareze në drejtimet Bujqësi, Shkenca Shoqërore, Shkenca Natyrore, Arte dhe Shkenca të Humanizmit, Art dhe Dizajn etj.
Rruga Press