25 vjet nga Masakra e Reçakut, Kurti: E vërteta, armiku më i madh i diktatorëve! Serbia përpiqet ta deformojë atë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar sot për të nderuar viktimat e rënë nga masakra e Reçakut, 25 vjet më parë. Në fjalën e tij për mediat, Kurti thotë se Masakra e Reçakut tronditi opinionin publik dhe diplomacinë ndërkombëtare çka e bëri të domosdoshme ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndaluar gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Duke treguar kalvarin e vuajtjes së 45 shqiptarëve të vrarë padrejtësisht, Kurti kujton sesi viktimat mundën të varroseshin pas katër javësh pasi kishte luftime.
Dhe faktikisht, nëse rikthehemi pas në kohë kujtojmë sesi Serbia refuzonte ta cilësonte si masakër (siç ende pretendon edhe sot), me pretendimin se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.
Nga Reçaku, kryeministri Kurti ka thënë se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën dhe vijon ta bëjë.
Nuk kishte si të mungonte edhe një falenderim për ish ambasadorin e misionit paqeruajtës të OSBE-së në Kosovë, William Walker i cili u bë zëri i Kosovës së padëgjuar më 1999-ën.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi Masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar, me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë ai.
Kurti ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke i mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.
“Më 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë, sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, ka thënë ai, transmeton EO.
Rruga Press