Kamberi reagon pas ndalimit të vizitës së Sveçlës në Luginë: Qeveria në Beograd mbetet paranojake e me urrejtje
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas ndalimit të vizitës të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pavarësisht kërkesës për vizitë në Luginë, i është refuzuar nga ana e Serbisë.
Kamberi, me anë të një postimi në Facebook, e ka dënuar ashpër këtë qasje për të cilën ai thotë se është e vazhdueshme nga Qeveria në Beograd.
“Vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike. Dënojmë ashpër këtë qasje të vazhdueshme nga Qeveria në Beograd nga e cila vazhdon me getoizimin e Luginës së Preshevës!”.
Qeveria në Beograd nuk ndryshon, thotë deputeti shqiptar dhe sipas tij, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptar.
“Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare! Bashkëpunimi ynë me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësojë askënd, përkundrazi duhet t’a mirëpres çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë por do të dështojë”, shtoi më tej ai.
Rruga Press