Bota

Holanda i bën dhuratën përfekte Ukrainës këtë fundvit, 18 avionë luftarakë F-16

Holanda do t’ia dërgojë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16, për t’i ndihmuar në betejën kundër pushtimit rus, ka njoftuar qeveria holandeze, të premten.

“Sot kam informuar presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur 18 avionët e parë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Mark Rutte, nëpërmjet një shkrimi në platformën sociale X, e njohur më parë si Twitter.

“Dërgimi i F-16-shave është një ndër elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të arritura për mbështetje ushtarake për Ukrainën”, është shprehur ai.

Dërgimi i avionëve luftarakë ende varet nga aprovimi për eksportim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, dhe nga përmbushja e kritereve për stafin dhe infrastrukturën në Ukrainë, ka shtuar Rutte, pa përmendur afate për këto vendime, raporton Reuters.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Por, njoftimi i ndihmës ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe njerëzve për përgatitjen e avionëve për dërgim, ka thënë qeveria holandeze.

“Kam folur me Mark Rutten për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për të filluar përgatitjen e 18 avionëve të parë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë presidenti ukrainas, Zelensky, në X.

Holanda ka dërguar F-16-shin e parë, prodhim amerikan, në një qendër të re trajnimi për pilotët dhe stafin ukrainas, në Rumani, muajin e kaluar.

Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika, po ashtu, kanë njoftuar se do t’i japin Ukrainës avionë F-16, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara ka aprovuar dërgimin e tyre që Kievi të mbrohet kundër Moskës, sapo të jetë përfunduar trajnimi i pilotëve.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/

YouTube player