Frikë nga SPAK/ Qeveria tërhiqet nga koncesioni i pagesave dhe çertifikatës elektronike
Qeveria është tërhequr nga vendimi për të dhënë me koncesion sistemin e pagesave për shërbimet publike si dhe certifikatën dhe nënshkrimin elektronik të bizneseve. Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim, që shfuqizon një vendim të mëparshëm, i cili autorizonte Ministrinë e Financave si autoritet kontraktor për dhënien e këtij koncesioni.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli Ministrave vendosi: Shfuqizimin e vendimit nr.581, datë 31.8.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënien me koncension/PPP për projektin “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI),” thuhet në vendim.
Koncesioni qindra milionë euro
Në shtator të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për të dhënë me koncesion monopol tek privati, infrastrukturën e çelësave publikë. Ligjet në fuqi detyrojnë çdo biznes që lëshon faturë, të pajiset me certifikatë elektronike, por edhe me nënshkrimin elektronik.
Të dyja shërbimet sot ofrohen nga AKSHI dhe kushtojnë respektivisht 4 mijë dhe 4800 lekë në vit. Të dyja, si certifikata ashtu dhe nënshkrimi elektronik duhet të rinovohen çdo vit me po të njëjtën kosto.
Pasi qeveria autorizoi ministrinë e Financave si autoritet kontraktor të koncesionit, në zyrat e shtetit doli papritur një studim fizibiliteti. Studimi përfshinte në koncesion jo vetëm certifikatën dhe nënshkrimin elektronik të bizneseve, por edhe shërbimin e pagesave publike.
Pra, çdo shërbim që qytetarët do të merrnin online përmes portalit e-albania do të paguhej përmes koncesionarit privat, i cili do të arkëtonte tarifë për këtë shërbim. Nëse një qytetar kërkonte një certifikatë pronësie në Kadastër duhet të kalonte nga koncesionari privat, nëse kërkonte një certifikatë familjarë po ashtu. Praktikisht të gjitha shërbimet publike.
Kjo e çonte faturën e këtij koncesioni mbi 500 milionë euro në 10 vjet. (Lexo këtu). Lobimi për shtyrjen përpara të kësaj kontrate ka qenë shumë i fuqishëm. Por kishte një problem. Ministria e Financave hezitonte të niste procedurën e koncesionit për shkak të paligjshmërisë së tij, por edhe kostove të tejfryra që u sillte qytetarëve shqiptarë. Me sa duket hezitimi i Delina Ibrahimajt dhe Ervin Metes për të firmosur koncesionin duket se e ka detyruar qeverinë të tërhiqet nga projekti. Të paktën tani për tani. Ndërsa SPAK çon në seri urdhër pranë gjykatës për koncesionet e mëparshme të qeverisë.
Rruga Press