Zgjedhjet në komunat veriore, KQZ i hap rrugën mbledhjes së firmave për largimin e kryetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i ka hapur rrugë mbledhjes së nënshkrimeve nga qytetarët në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Leposaviq për të larguar kryetarët e zgjedhur në prill të këtij viti.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi para mediave se anëtarët e grupit nismëtar janë votues të komunave përkatëse, siç edhe kërkohet në udhëzimin administrativ.
“Nga verifikimet, KQZ përmes këtyre përgjigjeve të ndara ka njoftuar se anëtarët e tri rupeve nismëtare të cilët janë nga tre anëtarë për secilën komunë, janë votues të komunave përkatëse”, tha Elezi.
KQZ gjithashtu ka njoftuar edhe për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, ku nevojitet vetëm 20% prej tyre të firmosin kërkesën. Kështu, në Leposaviq duhet të firmosin 2,689 qytetarë me të drejtë vote, në Zubin Potok 1,347, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 3,640 votues. Kërkesa e njëjtë për largimin e kryetarit të Zevçanit është refuzuar nga kryesuesja e Kuvendit të kësaj komune, Selvete Kelmendi.
“Sa i përket Komunës së Zveçanit, deri në këto momente që po flasim ne nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Gjatë javës së kaluar kemi pasur një njoftim nga ana e kryesueses së Kuvendit Komunal të kësaj komune se kërkesa që është parashtruar atje është refuzuar. Sipas udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, “grupi nismëtar, brenda 30 ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm një herë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për 15 ditë tjera”.
Sipas pikës 7 të nenit 6 të udhëzimit administrativ, nëse pas të gjitha afateve, nuk arrihet të plotësohet numri i nënshkrimeve prej së paku 20% të votuesve të regjistruar, KQZ konstaton se kërkesa nuk është mbështetur dhe iniciativa konsiderohet e pavlefshme. Por, sipas pikës 9 të të njëjtit nen, në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Rruga Press